Në skaj të rrugës “Zahir Pajaziti” sot për dallim nga ditët tjera, aty po shiste libra Azem Zogaj. Që 15 vite, Azemi vie në Podujevë, ku në një tezgë të vendosur në afërsi të parkut të qytetit ofron zgjidhje të shumta për qytetarët e Podujevës.
Për dallim nga qytetet tjera si Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan që i viziton më shpesh, ai tregon se Podujevën dhe Mitrovicën i viziton më rrallë.
Duke rrëfyer për Podujevën , ai fliste për ‘’çudinë’’ e madhe që e shprehin qytetarët, kur e shohin atë duke shitur libra.
“Kur më pyesin për ardhjen tim në Podujevë, unë pa hezitim u tregoj se çdo dy javë kur vie në këtë qytet , ndihem i lumtur. Kam kujtime shumë të mira për këtë qytet dhe kur vie këtu takohem me miq të shumtë” shton Zogaj.
Sipas Azemit, më të interesuar për libra në Podujevë janë moshat e moshuara, pasi të rinjtë nuk ia din vlerën librit. “Kjo është për keqardhje” shton ai.
I pyetur se a janë të arsyeshme çmimet e librave, ai duke qeshur vazhdonte të fliste. “Nuk ka çmim për librin, nuk ka para se blen vlerën e tij” shton ai teksa mundohej t’u propozonte disa zgjidhje për lexim, qytetarëve të cilët shprehnin interes për librat e ofruara në tezgë.
Ai thotë se e kupton krizën, se njerëzit nuk kanë para për të blerë libra. Lidhur më këtë ai ofron një zgjidhje më ndryshe prej të tjerëve.
“Nëse dikush blen një libër në vlerë prej 5 euro, pasi ta lexoj atë, ai mund ta kthejë atë në gjendje të pa dëmtuar, dhe ta marr një tjetër, me vlerë të nëjtë, për ta lexuar.” ka thënë për fund Azemi./Llapi.info