Me moton “Gjithmonë në zemrat tona, u prefshi në Paqe”, “Iniciativa Vullnetare RB” ka organizuar sonte një aktivitet simbolik në shenjë respekti për të rinjët shqiptarë dhe të gjithë ata që humbën jetën në Mynih dy ditë më parë, njofton Llapi.info.
Të rinjët e Iniciativës Vullnetare RB kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë ndezur qirinjë pranë fotografive të viktimave shqiptare të cilat i kanë vendosur në sheshin e qytetit të Podujevës.
Rinor Hakaj nga Iniciativa Vullnetare RB tha për Llapi.info se ky aktivitet ka filluar në orën 21:00 dhe ka përfunduar në orën 22:30.
“Këtë aktivitet e kemi organizuar në shenjë respekti për të rinjët shqiptarë që humbën jetën gjatë aktivitetit në Mynih. Kemi filluar prej orës 21:00 dhe ka zgjatur deri në ora 22:30”- tha Hakaj për Llapi.info.
Përveç Hakajt, për Llapi.info foli edhe kryetari i “Iniciativës Vullnetare RB”, Reshat Blakqori i cili ndër të tjera i falenderon qytetarët dhe bashkëatdhetarët e Podujevës që iu bashkangjiten këtij aktiviteti.
“Kemi dashur që të bëjmë diçka në shenjë respekti për viktimat e sulmit në Mynih. I kemi ndezur 9 qirinjë për 9 viktimat që humbën jetën atje. Në emër të Iniciativës dhe në emrin tim personal ju shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe i falenderoj qytetarët dhe bashkëatdhetarët që iu bashkangjitën këtij aktiviteti.”- tha Blakqori për Llapi.info.
Ndryshe, Armela Segashi nga Podujeva, Dijamant Zabergja nga Vushtrria dhe Sabina Sula humbën jetën nga sulmi i një 18-vjeçari në qendrën tregtare “Olimpia” në Mynih të Gjermanisë dy ditëve më parë./Llapi.info