Një numër i të rinjëve llapjanë janë duke mbajtur një aktivitet në sheshin e Podujevës lidhur me dukurinë e barazisë gjinore. Ata janë fitues të një projekti që e ka financuar UNICEF në kuadër të edicionit të 5-të të UP-Shift-it, njofton Llapi.info.
Evita Jakupi, anëtare e grupit fitues të vullnetarëve nga Podujeva tha për Llapi.info se qëllimi i këtij aktiviteti është zhdukja e seksizmit, jobarazisë gjinore në Podujevë dhe mbarë shoqërinë kosovare.
“Ajo që po duam ta zhdukim është seksizmi, jobarazia gjinore. Po dojna me pru një ekulibër midis dy gjinive në shoqëri. Po dojmë me tregu që gratë dhe vajzat e kanë të njëtën të drejtë me marrë pjesë në proceset vendimarrëse, me i pas mundësitë e njëjta në aspektin politik, social dhe ekonomik. Qëllimi jonë si grup i Podujevës është zhdukja e seksizmit në Podujevë dhe mbarë shoqërinë kosovare”, ka thënë Jakupi për Llapi.info.
Ajo bëri të ditur se aktivitetet do të vazhdojnë për dy muaj rresht dhe se nuk do të ndalen derisa ta zhdukin jobarazinë gjinore.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve ka qenë edhe një ligjeratë nga Shqipe Gjocaj me temën “Diskriminimi ndaj vajzave dhe grave”./Llapi.info