Me moton “Mëshirojini ata që janë në tokë, që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell”, Iniciativa Vullnetare “RB” e përkrahur nga Xhamia “Met Podjeva” në Podujevë, kanë organizuar një aktivitet për t’iu ndihmuar familjeve skamnore dhe jetimëve në këto ditë të fundit të muajit të Ramazanit dhe në prag të festës së Fitër Bajramit njofton Llapi.info.
Ky aktivitet ka për qëllim mbledhjen e parave me të cilat pastaj do të ndihmohen familjet në nevojë. Sot duke filluar nga ora 12:00 organizatorët kanë vendosur dy pika mbledhëse të parave, njërën te sheshi i qytetit, ndërsa tjetrën te posta.
Ky aksion do të vazhdojë edhe në mbrëmje deri në orët e vona gjithashtu edhe ditën e nesërme. Këtë për Llapi.info e konfirmuar, përfaqësuesi i Iniciativës Vullnetare “RB”, Rinor Hakaj.
“Aktiviteti është paraparë të zhvillohet sot deri në orët e vona të mbrëmjes, gjithashtu edhe nesër, mirëpo, pritet që t’a vazhdojmë edhe të hënën”- tha Hakaj për Llapi.info. Hakaj bëri të ditur se nesër ky aktivitet do të fillojë nga ora 10:00 dhe do të vazhdojë deri vonë edhe pas kohës së iftarit.
Sa i përket përzgjedhjes së familjeve që do t’ju shpërndahen pakot ushqimore, ajo do të bëhet në bazë të listave të familjeve nevojtare.
“Familjet që do të ndihmohen do të jenë ato që janë në listat e Xhamisë “Met Podjeva” edhe në listat tona, prej të dy listave do t’i përzgjedhim disa familje të cilat janë më nevojtare.”- shtoi Hakaj për Llapi.info.
Në emër të Iniciativës Vullnetare “RB” Hakaj falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë aktivitet dhe fton qytetarët që të ndihmojnë që të rritet shuma e parave të mbledhura në mënyrë që të rritet edhe numri i familjeve që do të ndihmohen./Llapi.info