Java e fundit e muajit gusht s’ka kaluar e qetë në Komunën e Podujevës. Brenda një jave në këtë anë janë shënuar incidente të ndryshme, me ç ’rast janë arrestuar disa persona, raporton Llapi.info.
Të hënën mbrëma një polic derisa ishte duke kryer detyrën e tij zyrtare është goditur nga një makinë. I dyshuari i cili pasi ka goditur policin është larguar me veturën e tij nga vendi i ngjarjes. Policia rastin e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.
“Podujevë 26.08.2019-20:32. Është raportuar se i dyshuari mashkull K/Shqiptar duke mos i respektuar urdhërat e zyrtarëve policor, me veturën e tij në lëvizje ka goditur njërin nga zyrtarët dhe është larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari gjendet në arrati ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thotë Policia.
Një person i kërkuar është arrestuar të hënën në Merdare. Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burg”, thotë Policia.
Përveç që është bërë e ditur se i dyshuari ka qenë i kërkuar, Policia e Kosovës s’e ka bërë të ditur arsyen e vënies së prangave.
Pas pesë ditësh kërkimi, të enjten e kaluar është gjetur trupi i pajetë i një 55-vjeçari në liqenin e Batllavës.
“Lidhur me rastin raportohet se me datën 29.08.2019 nga Njësitet e Specializuara të FSK-së nga liqeni është nxjerrë trupi i pajetë i viktimës mashkull K-Shqiptar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, ka njoftuar PK.
Të premten një femër është arrestuar në rrugën “Zahir Pajaziti”, pasi që e njëjta ka penguar inspektorët komunalë gjatë kryerjes së detyrës. Incidenti ka nisur pasi inspektorët filluan të rrënojnë një objekt në qendër të Podujevës.
Dy persona kanë pësuar lëndime trupore në Podujevë, pasi që të njëjtit janë sulmuar nga dy të dyshuar me mjete të forta.
Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë në drejtim të viktimave, por nuk ka pasur të lënduar nga predha.
“Viktimat pas tretmanit mjekësor në QKMF Podujevë janë dërguar për në QKUK-së për trajtim të mëtutjeshëm. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një shufër metalike, një gëzhojë e kalibrit 7.62 mm dhe një zinxhir fyti prej ari. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Ndërkaq, rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 19:30, ndërsa të njëjtin Policia e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Të nesërmen, Policia ka njoftuar se ka arrestuar dy të dyshuarit për këtë rast “tentim vrasje”. Raportohet se njëri nga të dyshuarit është i moshës së mitur si dhe janë konfiskuar një armë e llojit TT, një karikatorë dhe dy fishekë të cal. 7.62 mm.
“Me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, ka njoftuar PK./Llapi.info