Rojet në liqenin e Batllavës janë kanosur nga peshkatarë që po kapnin peshq pa leje gjatë orëve të vona të së dielës, njofton Llapi.info.
Rastin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës në raportin e saj ditor. Sipas PK-së, rojet, pasi u janë afruar peshkatarëve janë kërcënuar, ndërkohë që edhe janë dëgjuar dy krisma të armës.
“Tri viktimat meshkuj kosovar, roje e peshkimit në liqenin e Batllavës, kanë raportuar se gjatë vëzhgimit me barkë në liqe, kishin vërejtur disa persona të dyshuar që i kishin lëshuar rrjetat e peshkimit në liqen. Por kur viktimat ishin nisur në drejtim të dyshuarve në një distancë rreth 50 metra i kishin dëgjuar ata duke iu thënë mos u ofroni dhe kanë dëgjuar dy krisma nga arma e zjarrit. Pastaj të dyshuarit kanë ikur në drejtim të fshatit Ballaban. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet në raportin e PK-së.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Federata e Peshkatarëve të Kosovës. Sipas FPK-së, rojet dhe Policia e Kosovës kanë arritur të konfiskojnë varkën, e cila është përdorur nga të dyshuarit.
“Kërkojmë nga peshkatarët sportistë dhe qytetarët e Kosovës të na ndihmojnë për identifikimin e personave të dyshuar, për t’i paraqit para organeve të drejtësisë. Rojet e peshkimit federativ qendror dhe ata lokal përkundrazi nuk dot ndalen në ndjekjen dhe ndalimin e të gjithë atyre që mendojnë se janë të pa prekshëm duke shkatërruar resurset shtetërore të peshkut”, thuhet në reagim./Llapi.info