Vetëm përgjatë muajit gusht në Podujevë janë hapur 14 raste për të shtëna me armë nëpër ahengje familjare, njofton Llapi.info
Nga këto të shtëna me armë një person i mitur ka mbetur i plagosur në gjoks mesditën e 16 gushtit. Policia e Podujevës ka njoftuar se plagosja ka ndodhur në oborrin e një shtëpie.
“Policia në vendin e ngjarjes ka konstatuar se një vajzë 6 vjeçare është lënduar nga një predhë bredhëse, e cila menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor. E njëjta është jashtë rrezikut për jetë”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Në po të njëjtën ditë sipas PK-së, nga të shtënat një plumb bredhës ka dëmtuar dritaren e një lokali në rrugën e xhamisë. Ndërsa, në dy raste të tjera një në Podujevë e një në fshatin Letanc. Gjatë kontrollit të Policisë për këto raste janë konfiskuar katër armë dhe janë arrestuar dy persona S.S 66 vjeçar dhe M.H 50 vjeçar.
Policia ka njoftuar në raportin e saj se edhe në fshatin Metehi janë konfiskuar armë e fishekë. Sipas PK-së pronari i ahengut ka dorëzuar vullnetarisht armën e llojit Ekoll special, një fishekë dhe një karikator.
“Fsh. Metehi, Podujevë 10.08.2018 – 20:55. Pas marrjes së informatës për të shtëna me armë zjarri në një aheng , njësit relevante dal në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me pronarin e ahengut, i cili ka dorëzuar vullnetarisht armën e tipit Ekoll special, një fishek dhe një karikator te cilat janë konfiskuar. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia.
Në fshatin Gërdoc Policia ka njoftuar se pas të shtënave me armë në aheng familjar janë konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, ku me ç’rast është arrestuar edhe një person. Sipas PK-së, pas intervistimit me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një person është arrestuar edhe në fshatin Bajqinë nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Sipas PK-së, i dyshuari ka dorëzuar një armë A-47 dhe 20 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Policia e Kosovës njofton se një person tjetër është arrestuar në Podujevë të enjten e javës së kaluar. I njëjti është dërguar në mbajtje ku me ç’rast i janë konfiskuar një pistoletë me gaz dhe një gëzhojë e fishekut./Llapi.info