Ashtu si edhe partitë tjera, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur zgjedhjet e brendshme, mirëpo kjo e fundit me incidente të shumta, shkruan Llapi.info.

Përkundër se kjo parti s’e ka pasur sloganin si PDK-ja “Dekada e Re”, të njëjtit kryetarë janë përzgjedhur sërish në krye të partisë nëpër degë të ndryshme në Kosovë. Madje, disa prej tyre s’kanë pasur as edhe kundërkandidat. Një prej tyre është edhe kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu. Ky i fundit është rizgjedhur prapë kryetar i LDK-së në këtë degë edhe për një mandat.

Procesi i votimit të kësaj partie ka përfunduar edhe në Pejë. Atje u rizgjodh kryetar Gazmend Muhaxheri, i cili do të jetë në krye të partisë edhe për një mandat.

Mandat të ri e ka fituar sërish edhe i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ku me mbështetje absolute të 101 delegatëve është rizgjedhur kryetar i Degës edhe për një mandat katër vjeçar.

Ndërsa edhe Kuvendi Zgjedhor i LDK-së në Istog e ka rizgjedhur kryetar të degës përsëri, Haki Rugovën. Rugova mori besimin edhe për një mandat tjetër katër vjeçar të udhëheqë këtë parti, e cila qeveris me Istogun që nga viti 2000.

Ndërkohë, në disa degë ende nuk ka përfunduar procesi zgjedhor./Llapi.info