Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një tryezë me temë “Telekomi I Kosovës- gjendja, shkaqet dhe zgjidhja”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të partisë, profesorë të telekomit, ekonomistë etj.
I pari i VV-së, Albin Kurti tha se korrupsioni dhe krimi nuk kanë të ndaluar në Telekomin e Kosovës, raporton Indeksonline.
Kurse profesori, Ismet Hamiti tha se telekomin e ka zanat dhe se historia e këtij sektori është tejet e dhimbshme.
“Ky sektor është sektori më i keq i Qeverive që nga paslufta. Telekomunikacioni e ka një komponentë, ajo e sigurisë për të cilën ka shumë çka të thuhet. Në këtë sektor kemi dy pjesëmarrës, kompaninë dhe tregun. Politika sektoriale përfshinë vizionin dhe objektivat e pjesëmarrësve kryesor të ofruesve të shërbimeve, konsumatorëve dhe investuesve potencialë. Kjo politikë pengon trajtimin e problemeve të ndryshme në sektor të fragmentuar dhe nën trysninë e grupeve të ndryshme”, theksoi Hamiti.
Sipas tij, telekomi është sjell në gjendje sa nuk mund ti mbuloj as shpenzimet e veta rrjedhëse.
“Është në këtë gjendje sepse fitimet i janë plaçkitur përmes mekanizmave nga më të ndryshmet. Përmes një mekanizmi të quajtur Z mobile, telekomit i plaçkitën së paku 30% të të hyrave”, shtoi Hamiti.
Ai tha se plaçkitjen e urdhëruan individë në nivele të larta qeverisëse dhe partiake, e zbatuan drejtues të PTK-së, drejtorë e borde, e mbrojtën ministrat, e heshtën kryeministrat kurse nuk vepruan prokuroria e drejtësia.