Përveç akuzave për tenderin dhe mënyrën e shpërndarjes së pakove ushqimore, Komuna e Podujevës është kritikuar edhe për shpenzimet enorme për t’u furnizuar me pajisje mbrojtëse në kohën e pandemisë COVID-19, raporton Llapi.info.
Krejt kjo, pasi që Komuna e Podujevës me datë 13 mars 2020, nënshkroi një kontratë për “Furnizim emergjent me mjete dhe pajisje mbrojtëse për nevoja të shërbimit të Epidemiologjisë – QKMF Podujevë”.
Sipas kontratës, një uniformë njëpërdorimshme Komunës së Podujevës i ka kushtuar 15 euro, ku ka porositur 300 të tilla në vlerë totale prej 4 mijë e 500 eurove. Në anën tjetër, Komunës së Deçanit një veshje njëpërdorimshme i ka kushtuar 4 euro. Kjo i bie se Komuna e Podujevës ka paguar për gati tre herë më shumë se ajo e Deçanit.
Gjithnjë sipas kontratës, nga Komuna e Podujevës janë porositur 1 mijë maska kirurgjike trepalëshe, ku një copë ka kushtuar 9 euro, ndërsa vlera totale e tyre është 9 mijë euro.
E këto çmime të larta, krahasuar me komunat tjera të Kosovës, nuk u lanë pa u përmendur në seancën e fundit të Kuvendit të Podujevës. Komunarët u akuzuan nga këshilltarët opozitarë për tenderët dhe çmimet e larta.
Ish-shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, i ka quajtur marramendëse çmimet për furnizimin me masa mbrojtëse. Ai ka përmendur edhe çmimet që komuna tjera i kanë blerë, sipas tij, shumë më lirë se ajo e Podujevës.
“Nëse tenderi për pako ushqimore është negociuar besoj se do të dalë sikurse negocimi për pajisje në shëndetësi. Nëntë euro është blerë një maskë, e komunat tjera i kanë ble me dy euro maksimumi. Një palë rroba për një përdorim 15 euro i ka blerë Komuna e Podujevës, çmimi në treg me pakicë është e mundur me u marrë për pesë euro, a këtu nga Komuna e Podujevës 15 euro. Një palë dorëza 4-5 euro, e që janë 50 centë, kështu kanë qenë çmimet marramendëse, kurse dy euro kanë qenë Klina, Istogu, Prishtina dhe disa Komuna tjera s’i kanë pasur kaq”, ka thënë Llapashtica.
Përkundër këtyre kritikave, as drejtori i Shëndetësisë Zaim Thaçi, por as nënkryetari Nexhmi Rudari, nuk kanë tentuar as që t’i kontestojnë shumat të cilat janë publikuar në kontratën e Prokurimit Elektronik.
Duhet përkujtuar se Komuna e Podujevës është akuzuar edhe për keqpërdorim të ndihmave gjatë pandemisë. Këshilltarë komunalë opozitarë kanë fajësuar ekzekutivin se kanë qenë të përjashtuar për shpërndarjen e këtyre pakove, madje edhe pse të njëjtit kanë votuar unanimisht që t’u dilet në ndihmë qytetarëve në këtë kohë. Ata kanë akuzuar komunarët se ndihmat janë shpërndarë në baza partiake dhe jo atyre që kanë pasur nevojë./Llapi.info