Gazeta Sinjali vazhdon raportimet për kurdisjet e çmimeve dhe fituesve të tenderëve që bëhen nga drejtori i Departamentit për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhim të Ndërtesave Qeveritare në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arif Daka, me qëllim të angazhimit të kompanisë së vet si nënkontraktore. Daka, në vazhdimësi sigurohet që kompaninë që vet e menaxhon, e kontrollon dhe e administron “Quatro Trade” SH.P.K, ta angazhojë në punë si nënkontraktore të projekteve të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Një kurdisje të tillë e ka bërë edhe me një tender tjetër, e që bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i shkollës fillore 14+2k në Magure – Lipjan”. Vlera e kontratës për këtë projekt është 1.319.000.00 euro e që më vonë Arif Daka përkujdeset që t’i realizojë edhe kontratë të negociuar në vlerë prej 50.302,34 po të njëjtës kompani.
Pikërisht me datën 27.07.2017 nxjerrin njoftimin për dhënien e kontratës me procedurë të negociuar, ku pikërisht departamenti i tij merret me negocim të kësaj kontrate.
61.606.50 euro, është vlera e kontraktuar me “Quatro Trade” SH.P.K.
Tenderin në fjalë fillimisht e fitoi kompania “Arbëri-NS” SH.P.K. Për këtë Gazeta Sinjali ka siguruar dokumente faktuese. Njoftimi për dhënien e kësaj kontrate të negociuar nga MAP, si autoritet kontraktues, për kompaninë “Arbëri-NS” SH.P.K., u bë më 24.07.2017 ndërkaq nënshkrimi i kontratës më 31.08.2017.
Kontratën e kurdisi që ta merrte kompania e vet, “Quatro Trade” SH.P.K. të cilën Daka, siç pati raportuar Sinjali, në vitin 2016 e regjistroi në emër të vajzës së vet, Dafinës, që në kohën kur kompania u regjistrua në emër të vajzës, ajo ishte veç 19-vjeçare.
Kompania “Quatro Trade” SH.P.K., me numrin identifikues 811034610, u regjistrua në shkurt të vitit 2016 në emër të vajzës, Dafina Dakës, por numri kontaktues në ARBK ishte i Arif Dakës, me të cilin Sinjali edhe ka vënë kontakt.
Kurdisja e tenderit
Gazeta Sinjali ka siguruar fakte se fituese e tenderit paraprakisht ishte kompania “Arbëri-NS” SH.P.K. Në ARBK figuron se Naim Selmani është drejtor ndërsa Admir Selmani, përfaqësues i autorizuar. Por një kurdisje paraprake e Dakës, e shpërbleu kompaninë e vet me këtë tender.
Kontrata
Admir Selmani është kontaktuar nga Sinjali, por ai e ka mohuar një gjë të tillë sapo ka mësuar për projektin që bëhet fjalë.
“Për çka po ju duhet? Gabim jeni, pse çka po ju duhet?”, janë përgjigjet mohuese të Selmanit, që është përfaqësues i autorizuar për kompaninë në fjalë.
Prej ditësh Sinjali ka vënë kontakt edhe me Dakën, i cili herë pas here ndërpriste telefonatat e dikur edhe ka shkyçur telefonin.
Komunikimet rreth takimeve me Dakën
Me sigurimin e disa komunikimeve të punëtorëve në “Quatro Trade” SH.P.K, vërtetohet se Daka e ka marrë përsipër kontratën për shkollën në Magure.
Gazeta Sinjali ka siguruar një bisedë të zhvilluar zyrtarisht në e-mail, që mban datën 19 prill 2019, ku Arben Daka, u bën thirrje punëtorëve për një takim OBLIGATIV në Suharekë, e ku pjesëmarrës do të jetë edhe Arif Daka.