Java që lamë pas në Komunën e Podujevës s’ka kaluar e qetë. Brenda shtatë ditësh, Policia e Kosovës ka njoftuar për incidentet që kanë ndodhur në rajonin e Llapit, raporton Llapi.info.
Kësisoj, në raportin e së hënës të Policisë është bërë e ditur për një vjedhje të rëndë. Sipas raportit të PK-së, hajnat kanë vjedhur një pushkë gjuetie me leje, para të gatshme, stoli ari dhe dokumente personale në një shtëpi.
Pa dhënë detaje tjera, Policia ka njoftuar se ekipet policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”.
E raporti i së martës i PK-së ka bërë të ditur për dy incidente. Policia e Kosovës ka njoftuar rreth orës 16:00 (dita e hënë), në Podujevë është therur me thikë një person. Sipas Policisë së Kosovës, viktima është dërguar në emergjencë, ku edhe ka marrë tretman mjekësor, ndërsa sipas mjekut ka pasur lëndime të lehta.
“Me urdhër të prokurorit rasti mbetet të hetohet në procedurë të rregullt”, thotë PK.
Në po këtë ditë, një shtëpi është bastisur në këtë komunë, një person është shoqëruar në stacion policor, pasi që gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij është gjetur dhe konfiskuar një sprej AC. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.
Pa dhënë detaje tjera, PK e ka cilësuar rastin si “armëmbajtje pa leje”.
Një person i kërkuar u arrestua të martën e kaluar. Arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës. Përveç që është bërë e ditur se i dyshuari kanë qenë i kërkuar, Policia e Kosovës s’e ka bërë të ditur arsyen e vënies së prangave.
Kurse, të mërkurën një person është plagosur nga të shtënat me armë në fshatin Siboc të Podujevës. Si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull K-Shqiptar. Si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes njësiti policor ka konfiskuar armën TT me një karikator me 6 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka thënë Policia. Rastin PK-ja e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Në të njëjtën ditë, një stallë është përfshirë nga flakët në fshatin Llaushë e Ulët të Podujevës. Rastin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës. Sipas PK-së, në stallë kishte mjete bujqësore, drithëra dhe ushqim i bagëtive, ku si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme 15 mijë e 850 euro.
“Si pasojë e zjarrit është dëmtuar edhe një pjesë e murit të shtëpisë, pronë e vëllait të viktimës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarrin dhe nuk raportohet për ndonjë person të lënduar”, shkruhet në raportin e Policisë.
Po ashtu, një person i kërkuar u arrestua të mërkurën në rrugën “Nuhi Gashi” në Podujevë. Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata. Me këtë rast, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese të burgut në Smrekonicë.
Ndërsa, të dielën një plumb qorr ka goditur xhamin e një dere të shtëpisë në rrugën “Vëllezërit Frashri” në Podujevë.
Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin e përditshëm, teksa është bërë e ditur se plumbi ka goditur derën e ballkonit, i cili është thyer.
“Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një predhë të fishekut të armës së zjarrit”, thotë PK.
Pa dhënë detaje tjera, Policia e Kosovës rastin e ka cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”./Llapi.info