Fillimi i muajit nëntor në Komunën e Podujevës është karakterizuar me incidente të shumta. Brenda shtatë ditësh ndodhën aksidente me të lënduar, rrahje, tentim vrasje dhe u arrestuan disa persona, raporton Llapi.info.
Një person u arrestua mesditën e së hënës në këtë qytet, pasi që i njëjti ka shantazhuar viktimën mashkull K-Shqiptar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në orët e para të mbrëmjes të së martës, në Podujevë është arrestuar një person i kërkuar. Arrestimin e tij e bëri të ditur PK-ja në raportin e saj të përditshëm. Sipas PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Pa dhënë detaje tjera, Policia ka bërë të ditur se i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.
Ndërsa, të mërkurën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Podujevë është bastisur shtëpia e një të dyshuari. Më këtë rast, siç ka deklaruar Policia, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me tre fishekë. “Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, ka thënë PK-ja.
Të enjten, Policia bëri të ditur se një person është sulmuar fizikisht nga disa persona të panjohur. Sipas PK-së, viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Pa dhënë detaje tjera, Policia ka njoftuar se rasti është duke u hetuar, teksa i njëjti është cilësuar si “lëndim i rëndë trupor”.
Ndërkaq, të premten rreth orës 13:00, në rrugën “Xhemajl Mustafa” dy persona janë sulmuar fizikisht me mjete të forta nga disa të dyshuar. “Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në QKUK. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, tha Policia.
Pa dhënë detaje tjera, Policia rastin e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Në orët e para të mbrëmjes, në fshatin Siboc një këmbësor (i moshuar) është goditur nga një veturë. “Si pasojë e aksidentit këmbësori viktima mashkull K-Shqiptar ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit është arrestuar vozitësi mashkull K-Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje”, njoftoi PK.
Të shtunën në një vetë-aksident trafiku në rrugën Batllavë – Shajkoc mbetën të lënduar dy persona, të cilët u bartën për tretman mjekësor në QKUK. Rastin për Llapi.info e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Po ashtu, në të njëjtën ditë një rast dhunë në familje u regjistruar në këtë komunë. Ky rast u bë i ditur nga Policia e Kosovës, derisa është njoftuar se viktima femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. “Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor. Me urdhër te prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.
Kurse, në orët e para të mëngjesit të së dielës, një aksident i rëndë trafiku ndodhi në rrugën e qendrës në Podujevë. Në të njëjtin u përfshinë tri vetura – dy në lëvizje e një e parkuar. Si pasojë e përplasjes, tre persona mbetën të lënduar dhe të njëjtin janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Ndërkaq, siç ka njoftuar PK-ja, njëri nga shoferët është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Sipas informatave që posedon Llapi.info, një person nga ky aksident është në gjendje të rëndë.
Një tjetër aksident ndodhi rreth orës 12:00 në magjistralen Prishtinë – Podujevë, përkatësisht në Vranidoll. Nga ky aksident u lënduan nëntë persona.
Duhet theksuar se pas aksidenteve në nivel vendi, Policia ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe respektim të ligjit në trafik.
“Policia po vazhdon dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masa rigoroze ligjore dhe do të jetë zero tolerante ndaj veprimeve të të gjithë atyre drejtuesve që bien ndesh me Ligjin e Trafikut dhe rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve tjerë në komunikacion, me të vetmin qëllim, parandalimin e aksidenteve fatale”, thuhej në apelin e Policisë dërguar medieve./Llapi.info