Ministri i Financave, Hekuran Murati është deklaruar rreth kërkesës për tërheqjen e 30 përqind të mjeteve të Trustit. Murati në një konference për media pas mbledhjes së qeverisë tha se tërheqja e këtyre mjeteve nga Qeveria Hoti në vitin 2020 ka pasur një efekt negativ në ekonomi.

Ai ka thënë se janë deklaruar disa herë lidhur me argumentet për këtë temë, ndërsa thotë se pasojat e tërheqjes prej 10 përqind kanë ende pasoja në politikat fiskale të Kosovës.

“Në lidhje me çështjen e Trustit kemi dhënë disa herë argumente dhe përgjigje lidhur me këtë temë. Sa i përket efektit në ekonomi apo financa publike që ka ndodhur për herën e parë në vitin 2020, tërheqjes së parë prej 10%. Efekti i saj do të vërehet në financat publike sepse na e kanë lënë një gropë prej 110 milionë euro për ta paguar rimburësimin. Në vend se me politikat fiskale, me paratë që i mbledhim për buxhet të bëjmë politika të reja për t’i mbështetur qytetarët, për t’i rritur pensionet apo për të rritur mbështetjen për familjet në kushte sociale, ne na duhet që 110 milionë euro me i marrë nga buxhetit për me i rimburësu ata që i kanë tërhequr mjetet në 2020. Këso politike e papërgjegjshme ka qenë atëherë kur ka ndodhur”, tha Murati.

Më tutje, ai tha se tërheqja e 30 përqind të Trustit nëse ndodh, do të kishte efekte negative në ekonomi dhe se do të rriste edhe çmimet në Kosovë.

“Nëse do të ndodhte tani, e kam thënë edhe në të kaluarën që ndikimi do të ishte kryesisht negativ në ekonomi, sepse jemi në një ambient inflancionar. Në ambientet ku ka presion inflacionar dhe tendencë të rritjes së çmimeve, është e vetëkuptueshme që çdo shtim i sasisë së parës në treg në mënyrë të patargetuar apo të pakontrolluar krijon presione të reja inflacionare. Kjo do tij dëmtonte familjet që janë në nevojë e që nuk kanë Trust. Do të vazhdonin që të rriteshin çmimet. Do të krijohej presion për rritje të çmimeve e që kryesisht i dëmton ata që janë të papunë, e kryesisht punëtorët e sektorit privat që as që kanë kursime në Trust”, deklaroi Murati.

Lidhur me këtë çështje, më e zëshme është Partia Demokratike e Kosovës që kërkon që tërheqja nga Trusti të lejohet edhe njëherë si një ndihmë ndaj qytetarëve të Kosovës. /Lajmi.net/