“Habibi” dhe “Enesi” janë nofkat e dy prej katër kosovarëve, të cilët u arrestuan të premten në Kosovë e Gjermani. I pari emrin e vërtetë e ka Resim Kastrati dhe është nga Prizreni, kurse i dyti Albert Ademaj nga Drenasi.

Të dy, së bashku me Leotrim Musliun, i cili një muaj më parë është dënuar për terrorizëm në rastin “Izraeli”, po dyshohen se kanë përgatitur kryerjen e sulmeve terroriste në Kosovë. Bashkë me ta, i dyshuar është edhe një kosovar tjetër (emri i të cilit nuk është përmendur ende nga prokuroria), por që u arrestua në të njëjtën ditë përmes ndihmës së autoriteteve në Gjermani.

Në një shkresë të Gjykatës, të cilën e posedon “Koha Ditore”, arsyetohet vendimi për caktimin e masës së paraburgimit. Aty jepen detaje nga hetimet e kryera deri më tani prej organeve kompetente, si dhe deklaratat e të dyshuarve kundrejt provave të Prokurorisë. Të katër kosovarët, sipas Prokurorisë, janë zbuluar përmes masave të fshehta-përgjimeve telefonike, për përgatitje të sulmeve të ndryshme terroriste./Insajderi