Sot në Kosovë, ka filluar testi i Maturës Shtetërore 2018. Dy rajonet e para që janë përzgjedhur me short publik ku do mbahet testi ishin Gjilani dhe Ferizaj.
Por, gjatë ditës së sotme testi i grupit A dhe B është shpërndarë në rrjetet sociale. Disa maturantë kanë dërguar fotografi në një grup të përbashkët ku po shpërndahen përgjigjet e sakta, raporton Indeksonline.
Organet e rendit tashmë kanë nisur hetimet në lidhje me këtë shpërndarje, që dyshohet se ka rrjedhur direkt nga organizatorët e testit të maturës. Sot, në këtë test dyshohet se kanë hyrë edhe fëmijët e disa prej zyrtarëve që punojnë në MASHT, gjë që e bënë edhe më dyshues ketë proces.
Lidhur me këtë skandal, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se kanë raportuar rastin tek organet kompetente.
“Rezultate priten diku deri 1 qershor, lidhur me publikimet ne menjëherë i kemi lajmëruar organet kompetente dhe janë duke e shqyrtuar në rastet konkrete. Por nga ajo që është parë nuk ka ndikuar në rezultat. Ne e kemi pasur një bashkëpunim me nivel lokal dhe ka ndikuar në përgatitje”, tha Bytyqi.
Ai kështu deklaroi gjatë vizitës që i bëri qendrës së testimit ‘Kuvendi i Arbërit’ në Ferizaj.
Testi i Maturës pritet të vazhdojë nesër në rajonin e Prishtinës ndërsa në ditët në vazhdim do të zhvillohet në Gjakovë, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë.