Tetë persona janë arrestuar gjatë javës së kaluar në qytetin e Podujevës, raporton Llapi.info
Sipas raporteve ditore të Policisë, në Podujevë këta persona janë arrestuar për vepra të ndryshme penale.
Dy arrestime janë bërë ditën e martë, njëri është arrestuar pasi ka goditur me veturë një femër kështu duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Sipas PK- së me vendimin e prokurorit i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Kurse rasti i dytë i arrestimit në po të njëjtën ditë ka ndodhur, në fshatin Revuqë. Sipas PK-së, i arrestuari ka qenë i kërkuar nga policia. Arrestimi i personit në fjalë është bërë në bazë të urdhëresave të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë. I njëjti është dërguar në vuajtje te dënimit në burgun e Dubravës.
Në ditën e mërkurë, po ashtu sipas PK-së janë arrestuar dy persona. Arrestimi i parë ka të bëjë ku vëllai kishte sulmuar të vëllanë me shufër metalike duke i shkaktuar lëndime trupore. Sipas PK-së me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Rasti i dytë i arrestimit në Podujevë gjatë ditës së mërkurë ishte në fshatin Dumnicë. Personi në fjalë i arrestuar ishte i kërkuar nga Policia, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. I arrestuari në këtë fshat është dërguar për vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.
Edhe gjatë ditës së enjte në Podujevë janë arrestuar dy persona. Një i tillë kishte ndodhur në rrugën ‘Ilir Konushevci’ ku policia në raportin ditor kishte bërë të ditur se një i dyshuar pas një mosmarrëveshje ishte konfrontuar me një të dyshuar tjetër. Gjatë ndërhyrjes policore, i njëjti i kishte rezistuar arrestimit me ç’ rast një zyrtar policor kishte pësuar lëndime trupore kurse një tjetër i kishte dëmtuar uniformën. Sipas PK-së me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në po të njëjtin ditë, sipas PK-së në fshatin Sallabajë rreth orës 08:30 minuta është arrestuar një person i kërkuar nga Policia. Arrestimi i tij, ishte bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. I njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës.
Ndërsa, gjatë ditës së premte, në Podujevë një të dyshuari gjatë kontrollit, i janë konfiskuar dy pushkë automatike me 28 fishekë. Sipas raportit policor i dyshuari pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt.
Kurse, në ditën e shtunë, në Podujevë është arrestuar një person i kërkuar nga policia. Sipas PK- së arrestimi i personit në fjalë është bërë në bazë të urdhëresës lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë-dega Podujevë. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës./Llapi.info