Deputetja e LDK-së, Teuta Rugova ka vendosur që t’i bashkohet atij që partia e saj e ka quajtur tur turistik.

Kësisoj, ajo edhe njëherë ka dalur kundër qëndrimeve të partisë së cilës i përket.

Teuta Rugova është bërë pjesë e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në kryeqytete evropiane, për të lobuar për liberalizim të vizave. Por, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo parti nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.

Image

“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane. Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës. Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare. Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së”, kishte thënë gjatë ditës së sotme Avdullah Hoti.

Kujtojmë gjithashtu se Teuta Rugova mbështeti qeverinë Haradinaj, duke bërë kështu kuorumin.

Ndërkaq së fundmi, vëllai i saj Mendim Rugova, u emërua nga Ramush Haradinaj koordinator për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit.