Edhe pse kanë kaluar më shumë se 18 vite që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka dekoruar 108 personalitete me urdhrin “Hero i Kosovës”, shkruan Llapi.info.

“Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, marrë për bazë kontributin, meritat e veçanta dhe veprat e trimërisë dhe sakrificës në luftën e UÇK-së, presidenti Thaçi ka dekoruar 108 ish-ushtarë të UÇK-së dhe personalitete tjera me urdhrin “Hero i Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të presidencës.

Në mesin e këtyre 108 personaliteteve, presidenti Thaçi ka dekoruar vetëm tre nga ta nga Zona Operative e Llapit.

Bedri F. Ahmeti, Hyzri H. Talla dhe Isa H. Havolli, janë tre personalitetet e dekoruara nga Podujeva me këtë urdhër, të cilët kanë rënë në luftën Çlirimtare të Kosovës.

Ky vendim i presidentit ka ardhur pas propozimeve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK- së./Llapi.info