Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmetin, me të cilin kanë diskujtuar rreth bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Maqedonisë dhe rëndësinë e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona.
“Është shumë e rëndësishme që të ecim përpara si rajon, sepse vetëm kështu e forcojmë paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova i përkrah përpjekjet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.
“Zgjidhja e kontestit të emrit e rrjedhimisht edhe hyrja e Maqedonisë në NATO është në interes të paqes në tërë rajonin tonë”, shtoi Thaçi.
Ndërsa, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se bashkëpunimi i afërt i lidershipit shqiptar ka bërë që të përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni.
Të dy liderët kanë folur edhe për rëndësinë e autoudhës Prishtinë-Shkup, e cila do t’i afrojë edhe më shumë qytetarët e të dyja shteteve me njëri-tjetrin.