Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vazhduar ta mbrojë idenë e korrigjimit të kufirit të Kosovës me Serbinë.
Ai në një postim në ‘Twitter’ ka shkruar se propozimi i tij për zgjidhje paqësore në mes Kosovës me Serbisë është i qartë.
“Nuk ka ndarje përgjatë vijave etnike, por po në rregullimin e kufirit dhe njohjen reciproke”, ka theksuar Thaçi.
Ndryshe, i pari i Kosovës ka sqaruar idenë për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve.
Thaçi insiston se Kosova duhet të adresojë kërkesën e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë.
“Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit”, ka theksuar ai.