Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka nderuar veprën e katër heronjve nga Llapi, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Bahri Fazliut dhe Agron Rrahmanit që do të rivarrosen sot në Velani, njofton Llapi.info.

Në akademinë përkujtimore kushtuar heronjve, Thaçi ka theksuar se eshtrat e katër heronjve do të pushojnë pranë simbolit të kombit, Adem Demaçi.

“Nga sot e përgjithmonë eshtrat e katër bijve të Kosovës që dhanë jetën për idealin jetësor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar do të jenë pranë njëri-tjetrit. Ata do të pushojnë pranë simbolit të Kosovës, babait të pavarësisë, Adem Demaçit. Secili prej tyre ra heroikisht në kulmin e moshës më të mirë Afrimi dhe Fahriu 30 vjet më parë, Bahriu dhe Agroni 21 vjet më parë. Këta heronj më së miri përfaqësojnë dy deceniet e fundit të shekullit 20 të historisë së re të Kosovës. Të rritur me frymë atdhedashëse, me edukatë të lartë atdhetare ata ishin pjesë e organizimit të protestave dhe demonstratave për Republikën e Kosovës. Ata shkrinë të gjithë energjinë fizike, mendore dhe intelektuale për çështjen kombëtare. Ata treguan vendosmëri në rrugën e lirisë”, ka thënë ai.

Thaçi tha se ish-ushtarët e UÇK-së janë me fat që e patën rastin të njihni nga afër dhe kanë punuar me katër heronjtë.

“Krismat e pushkëve të Afrimit dhe Fahriut ishin ndër të parat që lajmëruan ardhjen e UÇK-së. Asnjë tendencë nuk do të arrjë të njollosë luftën e UÇK-së”, shtoi Thaçi.

Ndërkaq, në këtë akademi, presidenti ndau “Urdhrin e Lirisë” në nderim të familjeve Zhitia, Fazliu dhe Rrahmani.

Për katër heronjtë që vijnë nga Llapi janë bërë homazhe në Hollin e Kuvendit nga ora 10:00 deri në orën 11:30./Llapi.info