Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes profilit të tij në Twitter, ka shkruar se fundi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë demarkimin e 400 km të kufirit midis dy vendeve, duhet të sigurojë njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Sipas tij, kjo marrëveshje duhet t’i mundësojë Kosovës edhe anëtarësimin në organizata të tjera multilaterale.
“Mendimet e tjera rreth ‘end-game’ janë të pakuptimta ose interpretime të rreme”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi së fundmi ka iniciuar idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka thënë se në dialog do të përmend mundësinë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen territorit të Kosovës.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka nisur në vitin 2011. Sipas Bashkimit Evropian, që ndërmjetëson bisedimet, në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.