Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, ka reaguar pas konferencës së Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e përmendi se e ka nënshkruar kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së MD-së në Vushtrri një kompanie, që sipas raportit të auditimit, s’i plotëson kriteret.
Thaçi, në një përgjigje për Klan Kosovën, ka thënë se ky rast është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm dhe se, sipas tij, një gjë të tillë mund ta dëshmojë edhe me dokumente zyrtare.
Madje, ai tha se ministrja Haxhiu (në mandatin e kaluar) ka qenë e informuar dhe është pajtuar për dhënien me qira të kësaj prone.
“Ministrja e Drejtësisë ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike. Unë jam profesionist dhe nuk merrem me politikë. Rasti për të cilin paska folur ministrja Haxhiu dhe zëvendësi i saj është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm. Këtë e dëshmon dosja me dokumente zyrtare e ankandit publik. Për këtë process, Ministrja ka qenë e njoftuar në mandatin e kaluar dhe e cila ka pajtuar në parim për dhënien me qera të kësaj prone. Ky proces i nisur për të mirën e shërbimit korrektues ka rezultuar me përfitime për shërbimin në vlerë prej 500 mijë euro”.
I pari i SHKK-së, ndaj të cilit kanë nisur procedurat për ndërmarrjen e masave disiplinore, ka thënë se dje e ka takuar Haxhiun e cila e ka lavdëruar punën e tij dhe të institucionet që drejton.
Ai, në këtë përgjigje për Klanin, ka kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që lëndën ta dërgojë në Prokurori, ose do ta dërgojë ai.
“Dje e kam takuar ministren Haxhiu e cila ka shprehur respekt për punën time dhe të arriturat e Shërbimit Korrektues, por ka thënë se është e detyruar që të dërgojë në komision disiplinor. Kërkoj nga ajo që këtë lëndë ta dërgoje në prokurori, ndryshe do ta bëjë unë. Po ashtu ftoj të gjithë gazetarët që ta marrin lëndën e ankandit dhe ta publikojnë në tërësi”.