Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha të mërkurën se është inkurajuese takimi i sotëm i partive politike për të përafruar qëndrimet dhe për ta institucionalizuar agjendën shtetërore.
Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se konsensusi politik dhe uniteti qytetar janë veprime esenciale për të ardhmen e Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:
“Konsensusi politik dhe uniteti qytetar janë veprime esenciale për të ardhmen e Kosovës. Në shërbim të kësaj, e mirëpres platformën për dialog ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të prezantuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Gjithashtu është inkurajuese platforma politike e cila përfshin pika të rëndësishme te agjendës shtetëror e prezantuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në kontekst të këtyre iniciativave përshëndes tryezën e sotme politike, të thirrur nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Është inkurajues takimi i sotëm i partive politike për të përafruar qëndrimet dhe për ta institucionalizuar agjendën shtetërore.
Konsensusi i gjerë politik është garancia ma e mirë për të përmbushur agjendën shtetërore, e cila si synim ka arritjen e objektivave euroatlantike të Kosovës”, shkruan Thaçi në Facebook.