Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se shkenca ka për qëllim jo vetëm avancimin, por edhe zhvillimin ekonomik dhe social.
Kreu i shtetit në konferencën kombëtare vjetore të shkencës “Java e Shkencës 2018”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT), shtoi se Kosova ka infrastrukturën arsimore më të mirë në rajon.
Por sipas tij, duhet që të investohet në përmirësimin e cilësisë, raporton Ekonomia Online.
“Shkenca ka për qëllim jo vetëm avancimin, por edhe zhvillimin ekonomik dhe social. Shoqëria ju pret që të determinoni jo vetëm të sotmen, por të përcaktoni qartë se ku do të jemi pas disa dekadave në të ardhmen”.
“Mjafton të ecim me trende rajonale, duhet të lëvizim më shpejtë më mirë dhe në mënyrë më cilësore se të tjerët. Ekziston një lidhje mes rritjes ekonomike dhe rritjes së cilësisë në arsim vetëm me këtë vizion mund të fuqizojmë rininë tonë të talentuar”.
“Kemi pasur nevoja bazike të ndërtimit të një infrastrukturë moderne në të gjithë vendin, infrastruktura arsimore e Kosovës është më e mira në rajon”.
I pari i vendit theksoi se organizimi i Javës së Shkencës vjen në kohën kur Kosova është shteti i pavarur dhe ka vendosur parimet demokratike, prandaj ai ka inkurajuar studiuesit që potenciali i tyre kulturor përbën një mbështetje për të gjitha proceset në të cilat kalon shoqëria.
“Si ngjarje e përditshme Java e Shkencës ka filluar të organizohet në një etapë të re në kohën kur Kosova është shtet i pavarur. Potenciali i juaj njerëzor shkencor e kulturor përbën një mbështetje për të gjitha proceset në të cilat kalon shteti dhe shoqëria jonë”.
“Në këtë Javë të Shkencës presim nga ju të shfaqni ide dhe pikëpamje për të arriturat shkencore dhe synimet për të ardhmen”.
Gjatë kësaj konference do të pasqyrohen të arriturat e Kosovës dhe të rajonit në fushën e shkencës për periudhën njëvjeçare, ndërsa qëllimi i organizmit të saj është shkëmbimi i përvojave të Kosovës me vendet e rajonit në fushën e hulumtimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit social e ekonomik.