Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdimisht është duke kritikuar Bashkimin Evropian për shkak të mos liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për vonesave të shkaktuara në dialogun me Serbinë.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe përgjatë një vizite në Uashington në një tryezë të organizuar nga “Brookings Institute”, ku është folur për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Thaçi ka thënë se Brukseli është vonuar me Kosovën dhe kjo vonesë e tyre ka rezultuar me humbje të fuqisë së Bashkimit Evropian në rajon.

“Presidenti Thaçi tërhoqi vërejtjen se BE-ja është duke u vonuar me Kosovën dhe me tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo po e lëndon besimin në institucionet e BE-së dhe po e zvogëlon fuqinë e BE-së për të ndikuar në rajon”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca, raporton Gazeta Express.

Tutje, Thaçi ka thënë se roli i SHBA-së mbetet i pazëvendësueshëm në përpjekjet për të arritur paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjithashtu ka shtuar se Kosova është e lirë dhe e pavarur, por storia e suksesit të Kosovës do të mbyllet kur vendi të integrohet në NATO dhe në BE.

“Marrëveshja përfundimtare për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë është çelës për paqen, stabilitetin, për zhvillimin ekonomik dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe tërë rajonit”, është shprehur presidenti Thaçi.

Deklarime të njëjta Thaçi ka bërë edhe nga Mynihu, gjatë zhvillimit të Konferencës së Sigurisë atje.