Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është duke marrë pjesë në Forumin e Sigurisë ‘То be Secure’ (2BS) në Budvë.

Gjatë fjalimit të tij, Thaçi ka thënë se Kosova është e lumtur që Mali i Zi është anëtarësuar në NATO pasi kjo sjell garanci të madhe për stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“BE e mbështetur nga NATO është projekti më i madh i paqes dhe më i suksesshmi deri më sot, është shembull i paqes dhe i pajtimit”, ka thënë Thaçi, përcjell lajmi.net.

Ai ka theksuar se për t’u anëtarësuar në BE, Kosova ka nevijë për reforma të thella politike, ekonomike dhe legjislative.

Po ashtu, Thaçi ka shprehur mirënjohje ndaj Malit të Zi që ka treguar durim në zgjidhjen e çështjes së demarkacionit.

Sa i përket Samitit të Sofjes, presidenti është shprehur i kënaqur që Kosova ishte pjesëmarrëse në nivel të barabartë me vendet tjera.

“Ne dëgjuam edhe mesazhet e qarta se vet BE ka nevojë për modernizim dhe reforma. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura”.

Edhe dialogu dhe marrëveshja obligative me Serbinë ka qenë çështje diskutimi nga presidenti i vendit.

“Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë obligative, besoj që kjo marrëveshje do të arrihet. Do të jetë e vështirë për Kosovën por nuk do të jetë e lehtë as për Serbinë. Pa ndërtimin e raporteve evropiane nuk kemi të ardhme evropiane. Besoj se në fund të këtij procesi për Kosovën të ketë ulëse në OKB. Të punojmë për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar Thaçi./Lajmi.net/