Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke mbrojtur idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, ua ka kujtuar të gjithë kritikëve të kësaj ideje se Kosova gjithmonë është trajtuar si ‘rast i veçantë’.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se lufta për liri, intervenimi humanitar i NATO-s, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësia e mbikëqyrur dhe shtetndërtimi, janë vetëm disa nga veçoritë që e kanë bërë Kosovën të trajtohet si një rast i veçantë.

Ai ka thënë se në secilin prej këtyre proceseve, madje edhe në prag të shpalljes së deklaratës së pavarësisë, kishte shqetësime se Kosova mund të shërbente si rast precedent për vende apo rajone të tjera në botë, por gjithmonë ato dolën shqetësime të pasakta.

“Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Marrëveshja paqësore e forcon stabilitetin duke mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Mesazh për skeptikët e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:

Lufta për liri, intervenimi humanitar i NATO-s, shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësia e mbikëqyrur dhe shtetndërtimi, janë vetëm disa nga veçoritë që e kanë bërë Kosovën të trajtohet si një rast i veçantë. Në prag të shpalljes së deklaratës së pavarësisë, kishte shqetësime se Kosova mund të shërbente si rast precedent për vende apo rajone të tjera në botë. Por, këto shqetësime dolën të pasakta. Gjithashtu, një shqetësim tjetër i madh ishte frika nga eksodi masiv i komunitetit serb që jeton në Kosovë. Edhe ky shqetësim doli krejtësisht i pasaktë.

Çuditërisht, edhe sot kur Kosova e ka të hapur mundësinë për të arritur marrëveshje paqësore me Serbinë, rrufeshëm dhe nga shumë drejtime, ngritën shqetësime të paqëndrueshme. Skeptikët, sot përsëri janë bërë bashkë për të kundërshtuar opsionin real të korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë. Me lehtësi përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Krijojnë panik dhe mjegull duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë.

Unë kam konsideratë të lartë për të gjithë ata që në mënyrë racionale janë të përfshirë dhe të përkushtuar për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë. Ndërsa, ata që po kundërshtojnë duke prodhuar vetëm frikë, me keqardhje u them se janë të gabuar.

Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Marrëveshja paqësore e forcon stabilitetin duke mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan.

Prandaj, skeptikët e kësaj marrëveshjeje mund t’i siguroj që tani se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino. Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përfolët me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdoret në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë. HTH”, ka shkruar Thaçi.