LDK-ja nuk do të përkrahë në Kuvend platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë, që parasheh Presidentin, Hashim Thaçi në krye të ekipit negociator
Përmes një komunikate për media, LDK thotë se dokumenti i propozuar nga ekzekutivi është joserioz dhe me pretendime jokushtetuese.
“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht, Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë”, thotë deklarata për media e LDK’së.
Tutje, aty thuhet se “LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
“LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, thotë kumtesa.
Kjo deklaratë e LDK-së është shpërndarë në facebook edhe nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti dhe deputetët tjerë të partisë.