Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare, Gjeneralin amerikan Wesley Clark, i cili drejtoi sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999.
Thaçi ka thënë se përmes kësaj dekorate shpreh mirënjohjen për gjeneralin Clark dhe ushtarët amerikan, për kontributin që kanë dhënë për Kosovën.
“Gjeneralin amerikan, Wesley Clark, i cili ishte shumë këmbëngulës për të siguruar lirinë dhe paqen në Kosovë, sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë”.
“Kjo dekoratë për gjeneralin Clark vjen si mirënjohje edhe për mijëra qytetarë e ushtarë amerikanë, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Populli i Kosovës i është përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjeneralit Clark”.
Ish- Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë, po qëndron për vizitë në Kosovë, me ç’rast do jetë mysafir special i darkës fondmbledhëse gala të quajtur ”Përkrah Rrëfimin e Ardhshëm të Suksesit”, organizuar nga RTI në Kosovë (A.U.K).