Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në përvjetorin e 19-të të Policisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se po e shënojmë ditën e institucionit që mëshiron më së miri përparimin tonë si shtet i ri.

“Policia e Kosovës që nga ditët e para, e posaçërisht pas pavarësisë së Kosovës, u bë shtylla jonë më e fortë e shtetndërtimit. Policia e Kosovës, gra dhe burra, u bënë shpejt institucioni më i besueshëm në Kosovë. Me krenari e them gjithmonë, që raportet e shumta ndërkombëtare e vendosin Policinë e Kosovës lart mbi policitë e vendeve të rajonit. Ky institucion i ka dhënë Kosovës shumë. I ka dhënë arsye për të qenë krenar. I ka dhënë kuadro që kanë udhëhequr e po udhëheqin institucionet më të rëndësishme të vendit. Ju i keni dhënë Kosovës edhe heronj si Enver Zymberi dhe shumë të tjerë. Sot e mot përulemi para jetës dhe veprës së tyre”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit shtoi se Policia e Kosovës ka detyrën më të shenjtë, mbrojtjen e jetës së njeriut, krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë dhe luftimin e fenomeneve negative që e rëndojnë rajonin dhe vendin tonë.

“Sigurisht shumë progres është arritur. Por, ne të gjithë duhet të bëjmë edhe më shumë që të çrrënjosim këto dukuri negative, në bashkërendim të plotë me institucionet tjera. Ne të gjithë duhet të bëjmë shumë më shumë që policët e inkriminuar në vepra korruptive dhe kriminale mos të kenë mundësinë asnjëherë të veshin këtë uniformë të shenjtë. E posaçërisht, ne duhet të bëjmë shumë më shumë për mbrojtjen e jetës së gruas. Është e vërtetë, dhunë në familje dhe në rrugë ka dhe gruaja fatkeqësisht i nënshtrohet dhunës verbale e fizike. Por, ajo që e bën dallimin është mënyra sesi reagojnë institucionet, mënyra se si reagon shoqëria”, ka thënë presidenti Thaçi, njofton Presidenca.

I pari i vendit ka theksuar se vajzat tona assesi nuk guxojnë të rriten në një ambient ku dhuna ndaj tyre, qoftë verbale, qoftë fizike, shndërrohet në normalitet.

“Kudo që dhuna shfaqet, në rrugë, në shtëpi, në ambiente të punës, kudo qoftë, ne duhet të jemi të pakompromis në luftimin e këtij fenomeni të shëmtuar. Neglizhenca për të vepruar në raste të tilla do të jetë e pafalshme dhe e ndëshkueshme”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti i vendit ka thënë se Policia e Kosovës duhet të jetë në ballë të këtij procesi, duke dhënë shembull për të gjithë të tjerët