Presidenti i Kosovës ka vazhduar me mbajtjen e konferencave për të përsëritur qëndrimet e tij se marrëveshja me Serbinë është në interes të Kosovës dhe rajonit dhe se për këtë ka marrë konfirmimin në vizitat që bëri në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni.
Ai ka thënë se rajoni mbështet dialogun dhe se marrëveshja Kosovë – Serbi do të hapte perspektivën evropiane për të dy vendet, transmeton Koha.net.
“Të gjithë janë për dialog dhe të gjithë janë për negociata. Të gjithë do të mirëprisnin një marrëveshje Kosovë-Serbi që do të hapte perspektivën evropiane. Kam takuar presidentin e Shqipërisë, të Malit të Zi, kryeministrin e Maqedonisë. Këto vende mbështesin dialogun, negociatat dhe do të mirëprisnin një marrëveshje paqësore në interes të dy vendeve”, ka thënë Thaçi në këtë konferencë.
Ai ka ripërsëritur se bisedimet nuk do të jenë të lehta për shkak të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave me Serbinë dhe se nuk do të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e këtij procesi.
“Korrigjimi i kufirit i siguron njohje direkte nga Serbia dhe bashkimi i Luginës me Kosovën. Njohja nga Serbia nënkupton njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën. Nënkupton fillimin e procesit të formimit të ushtrisë”, ka përsëritur Thaçi.
“Njohja reciproke nënkupton heqjen e vetos ruse dhe Kosova fiton njohje globale nga 80 vende që nuk e kanë njohur Kosovës. Respektoj në plotëni të drejtën e shqiptarëve të shprehur në vitin 1992. Kërkesa e tyre është e drejt, e saktë dhe në kohë”, ka shtuar ai.
Koha Ditore sot ka raportuar se dialogu mund të vazhdojë në New York, por në konferencë Thaçi ka qenë i paqartë derisa ka përmendur mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, duke thënë se do të punojë maksimalisht për të vënë kontakte, pa përmendur për çka bëhet fjalë.
“Dëshiroj të theksoj se tani në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York që të angazhohemi maksimalisht që të punojmë që të vëmë kontakte, kërkoj që vendet tjera të angazhohen më shumë dhe të punojmë më tepër për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe Unesco”, ka thënë veç të tjerash Thaçi.