Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka refuzuar me të drejtë takimin e paralajmëruar për 11 maj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse palët duhet të jenë të përgatitura para secilit takim, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Engjellushe Morina, anëtare e lartë për politika në programin “Wider Europe” të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), me seli në Berlin.

Megjithatë, ajo vlerëson se zvarritja eventuale e dialogut, “shkon në favor të lidershipit aktual në Serbi”.

Ndryshimet politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dhe në Kosovë, sipas saj ofrojnë një moment të ri dhe të rrallë për procesin e dialogut dhe integrimet evropiane dhe në NATO.

Këtë moment, Kosova duhet ta shfrytëzojë, thotë ajo.

Sipas saj, tashmë ekzistojnë sinjale për një koordinim ndërmjet SHBA-së dhe BE-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Morina këshillon që lidershipi i Kosovës t’i qaset me kujdes non-paperit që pretendohet se ka dalë nga Sllovenia, edhe pse autenticiteti i tij është hedhur poshtë nga autoritetet e atjeshme.

“Fillimisht do të doja të thosha që vizita në Bruksel ishte bukur mbresëlënëse, sepse delegacioni i Qeverisë së Kosovës kishte arritur të bëjë disa takime, për një kohë aq të shkurtër, për dy ditë. Natyrisht që tërë vëmendjen e mori, sidomos në ditën e parë, refuzimi i takimit të paralajmëruar për 11 maj. Unë mendoj që me të drejtë është refuzuar si takim, sepse sipas asaj që mësuam prej mediave dhe prej Qeverisë (së Kosovës), nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me Qeverinë e Kosovës për takimin e paralajmëruar, të datës 11 maj. Mendoj që palët duhet të jenë të përgatitura para secilit takim”, tha ajo.

Morina ka folur edhe për atë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia një zgjidhje kompromisi.

“Dinamikat e reja politike, sidomos prej janarit e tutje dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe ndryshimet politike që ndodhën në Kosovë, e ofrojnë një moment të rrallë për procesin e dialogut dhe për shtytjen e Kosovës, por edhe të rajonit, drejt integrimeve të mëtutjeshme në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti (Joe) Biden e thanë disa herë që janë shumë të përkushtuar që të punojnë me Bashkimin Evropian për disa çështje. Njëra prej tyre është edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Unë e shoh që do të ketë një lloj përkushtimi më pozitiv sesa që e kemi parë në vitet e kaluara”, tha ajo.

Morina ka folur edhe për non-papers. Ajo tha se qarkullimi i të ashtuquajturit non-paperit të parë, që supozohet se ka dalë prej zyrës së kryeministrit slloven (Janez Jansha), është pak më serioz.

“Kjo sepse vjen prej një shteti që do ta marrë presidencën e Bashkimit Evropian në korrik dhe rreziku është që do t’i shtyjë këto ide tutje. Këto ide, të ndryshimit të kufijve në baza etnike, jo vetëm që janë të rrezikshme, por janë recetë për një dështim të radhës, që nuk do të përfundojë edhe aq mirë”, u shpreh ajo.

Megjithatë, thotë Morina, “fakti se Sllovenia është shtet anëtar i bashkimit Evropian dhe ka potencial që t’i shtyjë këto ide tutje – së bashku me disa aktorë tjerë në Bashkimin Evropian, siç janë Hungaria, Polonia dhe të tjerë – kjo është çështje që nuk duhet ta injorojmë si të parëndësishme”.

“Përfundimisht, në fakt, unë sa pashë, nuk e kanë mohuar dhe nuk e kanë pohuar. Do të thotë, e kanë lënë as kështu e as ashtu. Por, shumica e përcjellësve të këtyre ngjarjeve supozojnë që është kryeministri i Sllovenisë dhe i përmendin faktet që kryeministri i Sllovenisë, në fakt, nuk është që nuk e ka përmendur këtë temë, në disa takime të mbyllura me disa institucione të ndryshme në Bashkimin Evropian, por edhe në disa shtete të Ballkanit, në Bosnjë e Hercegovinë sidomos. Do të thotë, supozimi është bukur i fortë që shanset janë që ka dalë prej Sllovenisë, megjithëse autenticiteti i këtij dokumenti nuk është vërtetuar asnjëherë”, tha ajo.

“Unë do të doja të them që në krahasim me non-paperin e parë, non-paperi i dytë nuk duhet të merret seriozisht. Nëse lexohet pak me kujdes, shihet qartë që është tendencioz dhe nuk duket që vërtetë është i shkruar prej këtyre shteteve që pretendohet se është shkruar, prej Gjermanisë dhe Francës. Në fakt, Gjermania dhe Franca nuk i përkrahin disa prej elementeve që janë aty në non-paperin e dytë, që flet në mënyrë specifike për dialogun Kosovë-Serbi. Unë besoj që ai nuk duhet të merret seriozisht fare”, u shpreh tutje.

Morina foli edhe për rrugën evropiane të Kosovës, që shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se “kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi”.

“Unë besoj që Bashkimi Evropian është dashur të bëjë shumë më shumë për Kosovën. Nëse mundem këtu të ndërlidhem pak me faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë e kanë treguar një përkushtim shumë më të fuqishëm – kjo administrata e re. Pra, e ka treguar një përkushtim më ndryshe dhe më të fuqishëm për rajonin dhe për Kosovën. Pikërisht këtu do të thosha që tash është momenti që SHBA-ja, së bashku me BE-në të punojnë sa më shumë në përafrimin e qëndrimeve dhe sidomos në bindjen e pesë shteteve evropiane, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin sa më parë. Kjo, vetëm sa do t’ia lehtësonte Bashkimit Evropian, së pari, qëndrimin e saj kundrejt Kosovës dhe ta përafrojë Kosovën sa më afër integrimeve euroatlantike”.

“Këto pesë shtete, që nuk e njohin Kosovën dhe që janë anëtare të Bashkimit Evropian, në fakt, janë pengesa ndoshta më e madhe në relacionet e Bashkimit Evropian me Kosovën dhe e kundërta. Do të thotë, fakti që Bashkimi Evropian shihet që nuk ofron sa duhet – dhe unë mendoj që nuk ka ofruar mjaftueshëm sa duhet për Kosovën – është se pengesën e ka mu aty, brenda. Paralelisht me këtë, Bashkimi Evropian duhet sa më parë – sa më parë, kjo është urgjente – që t’ia heqë kufizimet e vizave Kosovës, sepse Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret, të cilat ishin dyfish më shumë se sa për shtetet tjera të Ballkanit”, tha ajo.