Të paktën pesë persona humbën jetën dhe të paktën 20 të tjerë u plagosën në një aksident të një autobusi në autostradën A9 pranë Lajpcigut në Gjermaninë lindore, raportojnë mediat gjermane.
Disa persona u plagosën rëndë.
“Pesë persona vdiqën në aksident,” konfirmoi zëdhënësi i policisë Olaf Hoppe për Bild.
Sipas policisë, të lënduarit janë duke u trajtuar dhe po bëhen përgatitjet për tërheqjen e autobusit.
Nuk ka ende të dhëna për identitetin e të vdekurve.
Policia tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:45.
Të gjitha shërbimet janë në terren dhe pesë helikopterë po fluturojnë mbi vendin e aksidentit.
Zëdhënësi i kompanisë Flixbus, Sebastian Meyer tha për Bild se rrethanat e sakta të aksidentit nuk dihen ende dhe se po bashkëpunojnë me policinë dhe shërbimet e shpëtimit.
Sipas informacioneve të Bild, në autobus ka pasur kryesisht pasagjerë të rinj. Sipas hetimeve paraprake, në aksident nuk janë përfshirë mjete të tjera.