Infektologu Ilir Tolaj në një prononcim për Gazetën Sinjali ka folur rreth situatës epidemiologjike të krijuar nga pandemia COVID-19.

Tolaj, gjithashtu ka folur për mundësinë e arritjes së variantit indian në vendin tonë.

Sipas tij, gjasat janë shumë të mëdha që ky variant të arrijë në Kosovë.

“Po padyshim se gjasat janë shumë të mëdha që ky variant të arrijë në Kosovë. Kosova nuk është e izoluar nga pjesa e tjetër e botës, ndërsa varianti indian tashmë është në Britaninë e Madhe dhe në Francë. Ashtu si ka ndodhur me variantet e deritashme të cilat janë shfaqur nëpër botë dhe kanë arritur edhe në Kosovë, ashtu do të ndodhë edhe me varinatin indian”, ka thënë Tolaj.

Megjithkëtë, Tolaj ka nënvizuar se nuk ka nevojë për ndonjë shqetësim, pasi që sipas tij, varianti indian nuk është vërejtur se ka ndonjë dallim nga variantet e mëhershme.

“Nuk ka nevojë për ndonjë shqetësim të veçantë. Ashtu si edhe varianti britanik, edhe ky variant shqyhet me përhapjen me të shpejtë sesa varianet fillestare të SARS CoV2. Por në aspektin e rëndësisë së sëmundjes dhe vdekshmërisë, nuk është vërejtur se ka ndonjë dallim nga variantet e mëhershme”, ka thënë ai.

Tutje, infektologu ka thënë se të dhënat e deritanishme tregojnë se vaksinat që janë duke u përdorur në botë janë të efektshme në krijimin e imunitetit mbrojtës edhe nga ky variant.

Kjo, sipas Tolajt e shton një detyrë urgjente për autoritetet shëndësore të vendit për të siguruar numër të madh të vaksinave. Sipas tij, nevojiten së paku rreth 500-600 mijë doza në afatin sa më të shkurtër kohor.

“Gjithashtu, ajo që është e rëndësishme, të dhënat tregojnë se vaksinat që janë duke u përdorur në botë janë të efektshme në krijimin e imunitetit mbrojtës edhe nga ky variant. Për këtë arsye, për t’u mbrojtur nga ky variant dhe të gjitha varientet e deritashme dhe ato që eventualisht do të shfaqen, duhet që të vaksinohemi sa më shpejtë. Kjo e shton një detyrë jashtëzakonisht urgjente dhe shumë të rëndësishme për autoritetet shëndësore të vendit për të siguruar numër të madh të vaksinave, më së paku rreth 500 -600 mijë doza dhe këto në afatin sa më të shkurtër kohor”, tha Tolaj.

Lidhur me mundësinë e përfshirjes edhe të një vale të re të COVID-19, Tolaj thekson “Nëse nuk do të ketë vaksinim masiv, po është e mundur që të kemi edhe një valë të infeksioneve, e cila ka gjasa të jetë më e lehtë sesa kjo që e kemi lënë pas”.

Sëkëndejmi, ai ka kritikuar kolegët e tij që hezituan të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca.

Tolaj thotë se refuzimi i vaksinimit nga ana e profesionistëve shëndetësor ndikon në mënyrë negative në përgjigjen e popullatës së përgjithshme ndaj vaksinimit.

“Është veprim i cili meriton kritikë serioze. Sjelljet e tilla nuk ju shërbejnë për nder profesionistëve shëndetësor dhe ndikojnë në mënyrë negative në përgjigjen e popullatës së përgjithshme ndaj vaksinimit. Posaçërisht kur të dhënat shkencore dhe mjekësore nuk e dallojnë këtë lloj të vaksinës nga vaksinat tjera. Kjo është një dobësi intelektuale dhe profesionale e atyre që e kanë refuzuar këtë lloj të vaksinës duke e pritë një lloj tjetër të vaksinës, kurse për institucionet shëndetësore dhe ministrinë e Shëndetësisë tregon se janë në një dezorganizimi të plotë sa i përket kampanjës së vaksinimit me vaksinat antiCOVID”, thotë Tolaj.

Tolaj gjithashtu ka kritikuar edhe institucionet shëndetësore dhe ministrinë e Shëndetësisë, për siç thotë ai, kanë qenë ”Jotransparent, të dezorganizuar, me ndikim të vogël ose pa ndikim në ecurinë e pandemisë”.