Sipas policisë gjermane, një ushtar duket se ka qëlluar për vdekje katër persona në distriktin Rotenburg, përfshirë një fëmijë. Policia e ka arrestuar të dyshuarin.

Shumë ekipe emergjente kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

I dyshuari u vetëdorëzua në polici pak kohë pas incidenteve në Scheesel dhe Bothel, sipas policisë. Motivi i të dyshuarit tash për tash është i paqartë, raporton mediumi NRD.

“Një motiv në mjedis familjar nuk mund të përjashtohet” – thanë hetuesit.

Sipas autoriteteve, viktimat e krimit të parë në Scheesel janë 55 dhe 30 vjeç. Në Bothel, një fëmijë trevjeçar dhe një grua 33-vjeçare vdiqën.

Është ende e paqartë se çfarë raporti kishte i dyshuari me viktimat.

Sipas të dhënave preliminare të policisë, të shtëna pati në një shtëpi në Scheesel rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit. Pak më vonë, ndodhi incidenti tjetër në Bothel, 15 kilometra më larg.

Zyra e Prokurorit Publik fillimisht nuk ofroi ndonjë informatë nëse arma e të dyshuarit ishte nga posedimi i saj në ushtri.