Vendet nordike janë përballur gjatë ditëve të fundit me të ftohtin arktik, me temperaturën më të ulët në 25 vite, -44.3 gradë Celsius, në Enontekio. Në Norvegjinë jugore, reshjet e dendura të borës e kanë vështirësuar jetën e përditshme për njerëzit.

Në Grimstad, 275 km në jug të Oslos, shkollat ​​u mbyllën të enjten, ndërsa bashkia filloi punën për të pastruar borën.

“Nuk mund të gjejmë derën. Kjo është çmenduri, “tha Ellen Brunborg, drejtoreshë në shkollën e mesme të Grimstad, teksa po gërmonte borën në kërkim të hyrjes së stafit në shkollën e saj.

“Ka të paktën 1 metër borë”, tha ajo.

Autoritetet u kërkuan shoferëve që të kenë kujdes shtesë në trafik për ditët në vijim pasi punëtorët pastrojnë grumbujt e borës.

Për herë të parë sot temperatura në rajonin e Oslos shënoi -30 gradë Celsius, me -31.1 gradë të regjistruar në Bjernholt, në veri të kryeqytetit norvegjez, sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Norvegjez.