Në rigjykimin për rastin ku Gani Geci po akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, në seancën e së martës janë dëgjuar dëshmitaret Sejdi Gashi, Zijadin Geci dhe Bahri Nika, transmeton Gazeta Sinjali.
Fillimisht është dëgjuar dëshmitari Sejdi Gashi, i cili ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave të dhëna me herët.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Naim Beka, dëshmitari ka thënë së Ruzhdiun dhe Ganiun i njeh në bazë të televizionit.
“Përafërsisht prej cilit vit i njeh?”, ka pyetur prokurori Naim Beka, për çka dëshmitari u përgjigj: “Prej luftës”.
Ai tha se nuk e kishte ditur çfarë raportesh kanë pasur, veç e kishte ditur që kishin pasur telashe.
“Në deklaratën që keni dhënë në prokurori, ke thënë se e ke parë Ganiun kur e ka shkrep armën dhe e keni parë Ruzhdiun kur është rrëzuar. Nëse të kujtohet, çfarë distance ka qenë?”, ka pyetur prokurori Beka dëshmitarin.
“Sa më kujtohet ka qenë dy metra, një metër ashtu afërisht”, u përgjigj Gashi.
Pas dëgjimit të tij, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Zijadin Geci, i cili ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave te dhëna më herët.
“Kur keni dalë, keni qenë ju përpara duke lëvizur apo Ganiu?”, ka pyetur prokurori Beka.
“Në momentin kur jemi ngritë prej tavolinës që kemi qenë brenda, Ganiu ka shkuar e ka marrë telefonin dhe mbushësin të shanku, unë kam qenë jashtë, pastaj ka ardhur Gania pas meje”, është përgjigjur dëshmitari Geci.
“Ju e keni dëgjuar fjalën “Selam Alejkum”. A jeni i sigurt që e keni dëgjuar?”, ka pyetur tutje prokurori Beka, për çka dëshmitari u përgjigj “Po, e kam dëgjuar dhe jam i sigurt”.
“A ka pasur shkallë, a mund të ndërlidhni më shkallët ku ishte ti dhe ku ishte Ganiu, kur u dëgjua kjo fjalë?”, ishte pyetja e prokurorit Beka për dëshmitarin Geci.
“Aty janë shkallët që del në terasë dhe shkallet që del në shesh. Unë kamë qenë në shkallën e fundit që del në terasë, për shkak se desha me i tregu Ganisë kush na ka paguar kafet, se ka qenë një shokë në anën e djathtë dhe jemi kthyer dytë e kemi përshëndet atë djalin dhe në ato momente kur e kemi kaluar tavolinën ku ka qenë Ruzhdiu ulur, atë e kemi parë pasi jemi kthyer kur e kemi dëgjuar fjalën “Selam Alejkum””, deklaroi dëshmitari Geci.
Tutje, dëshmitari Geci ka thënë se kur ishin kthyer, pasi që e kishin dëgjuar fjalën “Selam Alejkum”, kur e kishte parë i akuzuari Geci tani të ndjerin, ishte zbehur në fytyrë shumë dhe kishte hezituar të shkojë në drejtim të tij.
“O ku je Ruzhd, a ike bo pleqtë me bo be, ku je kanë me 19 tetor?”, tha dëshmitari të kenë qenë fjalët me të cilat i ishte drejtuar i akuzuari tani të njërit, duke shtuar se në ato momente, duka dashur Geci që ta pyeste ende, i ndjeri e e kishte shtyrë tavolinën me dorë të majtë dhe e kishte ofernduar goxha rëndë.
“Kur ka dashtë Ruzhdia mu ngritë në këmbë e ka qitë dorën e majtë në tavolinë edhe të djathtën e ka qitë mbrapa, por nuk kam mundur me vërejt dorën e djathtë apo e vë në karrige apo në trup, edhe ka kërsit alltia”, deklaroi dëshmitari.
“Dashta me ta përkujtu se këtu ka një dallim, aty në një moment keni cekur se në momentin kur është afruar keni dëgjuar se Ganiu i ka thënë atij dhe ai diçka Ganisë, por nuk e di se çka se ka qenë zhurmë, ndërsa sot po thoni fjalë tjera”, ka deklaruar prokuroi Beka, duke iu drejtuar dëshmitarit.
“Gjyqtar mu kurrkush nuk me ka pyetur më shumë pyetje konkrete si ju tani, e saktë është kjo që po them sot”, është përgjigjur dëshmitari Geci.
I pyetur nga kryetrari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq, se kur e ka dëgjuar bisedën që është zhvilluar mes të akuzuarit dhe të ndjerit, a ka vërejtur se dikush nga personat në tavolinë ka dashur t’i ndajë ata dy që të mos shkonte deri të konflikti, dëshmitari tha se nuk e ka vërejtur askënd dhe se e gjithë ngjarja kishte zgjatur 15 sekonda.
Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Bahri Nika, i cili po ashtu ka deklaruar se mbetet pranë deklaratës se dhënë me herët.
“Gjatë gjykimit në faqen e dytë, unë kam pyetur për porosinë që e ke marrë prej të ndjerit Ruzhdi, për me përcjell te Ganiu. Kështu e kam pyetur “A i ke tregu dikujt për atë porosi?”, “Veç shokëve, por edhe Ganisë i kom qu fjalë, se me kanë thënë mos me nejtë me Ganinë. A ka mundësi me na tregu cilët shokë, nëse të kujtohen?”, ka pyetur avokati Ndrec Dodaj.
“Ata shokë janë Faton Ramadani dhe Ardian Muja, ata i njeh edhe Gania”, është përgjigjur dëshmitari Nika.
Në pyetjen e gjykatësit Radosllav Markoviq, se kur i është thënë që nuk dëshirojnë ta shohin me të akuzuarin, a ia kanë thënë edhe arsyen pse, dëshmitari u përgjigj: “Po më kanë thënë se është spiun i UNMIK-ut dhe mos rri me ta, Ruzhdia me Florim Ejupin më kanë kërcënuar se kena me vra”, u përgjigj dëshmitari Nika.
Pas dëgjimit të tyre, meqenëse në seancë kanë munguar dëshmitarët Haxhi Ibrahimi dhe Bajram Haliti, trupi gjykues mori vendim që të lexohen deklaratat e tyre të dhëna në polici dhe në prokurori, pasi me një gjë të tillë u pajtuan edhe prokurori Beka dhe avokati Dodaj.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 22 prill 2021, në ora 10:00, gjatë së cilës pritet të dëgjohen dëshmitarët Sokol Musliju, Idriz Morina, Afrim Nuraj dhe Naim Miftari.
Ndryshe, kjo është seanca e katërt e mbajtur që nga kthimi i këtij rasti në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në shtator të vitit 2017.
Në seancën e fundit të mbajtur një ditë më parë, më 16 prill, janë dëgjuar dëshmitaret Ermal Jusufi, Visar Brahimi dhe Emin Latifi.
Kurse, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.
Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka dhe heq dorë nga pika e tretë e aktakuzës.
Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci ka deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci tha se nuk ndihet fajtor.
“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit.
Mirëpo, pranimi i fajësisë është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton.
Ai akuzohet se vrasjen e kishte kryer në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.
Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.
Pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve, më 26 shtator 2017 dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.
Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.
“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.
Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.