Shumëçka dhuroi ndeshja Llapi-Liria, por në fund pikët e plota i mori Llapi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina.

Të dielën në “Zahir Pajaziti”, Llapi fitoi me rezultatin 2:0 në ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës, me dy gola të shënuar në fundin e ndeshjes, në të cilën u dhanë edhe tre kartonë të kuq.

Në pjesën e parë, Liria shënoi me Prins Tjiuezan, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje. Nga minuta e 25-të Llapi luajti me një lojtar më pak, pasi nga loja u përjashtua Besar Musolli i Llapit.

Ndërsa në pjesën e dytë, Festim Alidema i Lirisë (51′) humbi penalltinë, pasi portieri Ilir Avdyli ndali topin. Ndërkohë, Llapi nga minuta e 70-të mbeti edhe pa sulmuesin Ahmed Januzi që hyri në lojë si zëvendësues. Por, pak minuta pasi u inkuadrua, ai shkeli në këmbën e një futbollisti të Lirisë, dhe gjyqtari Dardan Çaka e përjashtoi direkt me të kuq.

Megjithatë, Llapi edhe me nëntë lojtarë në fushë ia doli të shënonte gol. Muhamet Hyseni shënoi në minutën e 77-të të ndeshjes nga penalltia. Hyseni e fitoi vetë penalltinë dhe ishte i saktë nga 11-të metra.

Më pas, gjyqtari Çaka e përjashtoi nga loja edhe një mbrojtës të Lirisë. Aprocius Megameno në minutën e 79-të, mori kartonin e dytë të verdhë pasi ndali në mënyrë të palejuar sulmuesin Elvir Gashijani.

Llapi nuk u ndal, derisa golin e qetësisë e shënoi me Valmir Veliun, katër minuta para fundit. Për Veliun ishte goli i parë në edicionin aktual për Llapin, në ndeshjen e tij të parë që prej rikthimit nga elita e futbollit të Turqisë.

Me këtë fitore, Llapi tani ka 19 pikë në nëntë ndeshje të luajtura. Liria që e pësoi disfatën e katërt rresht në Superligë, mbetet me gjashtë pikë në nëntë ndeshje.