Historia e listave të veteranëve po përcillet me skandale, ankesa e pakënaqësi. Kishte shpërthyer revoltë kur dolën 60 mijë veteranë nga lufta, ndërsa njëjtë ndodhi edhe kur u publikuan emrat e 20 mijë veteranëve të rrejshëm, të cilët u nxorën gjatë hetimeve të ish-prokurorit, Elez Blakaj. Vetëm dy ditë pasi mediat publikuan emrat e veteranëve të listuar si të rrejshëm, Prokurorisë i kanë shkuar 372 ankesa, 3000 veteranë po përgatisin padi. 180 prej tyre veçse i kanë dorëzuar paditë e tyre

Njëzet vjet pas luftës, Kosova nuk po rehatohet me çështjen e veteranëve të dalë nga lufta. Nxjerrja e 60 mijë veteranëve nga Komisioni qeveritar që bënte verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit, është një nga skandalet më të mëdha në këto dy dekada.

Kjo shifër shkonte përtej secilit perceptim. Pothuajse të gjithë pohonin se ishte përtej çdo logjike që Kosova të ketë pasur kaq shumë pjesëtarë të UÇK ‘së në luftë.

Kryeministrit Ramush Haradinaj pas asnjë hezitim që pohon se kanë qenë aq pjesëtarë në Ushtrinë Çlirimtare. Ndërsa ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK’së, Sylejman Selimi në një intervistë për Express kishte deklaruar se në luftën e UÇK’së kanë marrë pjesë hiç më shumë se 17 mijë veteranë.

Por sa i përket listës përfundimtare të dorëzuar nga ana e Prokurorisë Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë lindur shumë pakënaqësi nga ana e veteranëve.
Vetëm gjatë ditës së djeshme në zyrat e organizatës së veteranëve OVL e UÇK’së, kanë trokitur mbi 300 persona të cilët thonë se kanë qenë pjesë e UÇK’së. Të gjithë ata sipas drejtuesve të OVL’së e kanë të njëjtin hall. Gjenden në listat me emrat e veteranëve mashtrues të UÇK’së.

Detaje rreth kësaj ka dhënë për Express, kryetari i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati. Ai ka deklaruar se shumë shpejtë mbi 3 mijë veteranë do t’i përgatisin paditë.

“Vetëm sot në zyrat tona kanë ardhur rreth 372 veteranë të cilët kanë shprehur shqetësime se gjenden në listat e veteranëve mashtrues. Ne i shikuam ata me emër e mbiemër e figurojnë si pjesëtarë të UÇK’së”, ka deklaruar Gucati për Express.

Ai ka treguar se numri më i madh i veteranëve që po shprehin shqetësime se gjenden në listat me emrat mashtrues të veteranëve.

Nga OVL thonë se vetëm dje kanë qenë 160 ankesa nga Kaçaniku, 61 nga Drenasi, 74 nga Gjilani, 54 Skenderaj.

Ndërkohë ai bëri me dije se prej degëve të tjera nga e gjithë Kosova janë rreth 3 mijë veteranë të tjerë të cilët po i përgatisin paditë e tyre.

“Janë diku 26 komuna të cilat na kanë kontaktuar dhe kanë treguar sa është numri i ankesave. Janë diku rreth 3 mijë ankesa deri më tani”, ka deklaruar tutje Gucati.
E në listën si veteran mashtrues ka figuruar edhe 85-vjecari nga fshati Plluzhinë i Komunës së Skenderajt, Hasan Tahiri, i cili njihet në gjithë zonën e Drenicës si veterani më i vjetër i cili ka dhënë kontribut në UÇK. Këtë e pohojnë edhe zyrtarë të organizatës OVL e UÇK’së.

Edhe ky 85-vjeçar pritet që të ushtrojë padi kundrejt këtij lëshimi.

Të premten që shkoi Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë ngriti padi ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar, ndërsa dy ditë më vonë u publikuan listat e veteranëve të rrejshëm, ku figuronin edhe emra të veteranëve të vërtetë.

Pas kësaj reagoi Elez Blakaj, ish-prokuri që ka kryer hetime për rastin e veteranëve duke thënë se aktakuzës së papërfunduar i ishin shtuar edhe 2 mijë emra për të cilat ai nuk mban përgjegjësi. Ndërsa Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për Mbrojtjen e veteranëve ka akuzuar Prokurorin e Shtetit duke thënë se kjo është bërë qëllimshëm për të kompromentuar procesin gjyqësor.