Brenda një jave, ndaj dy ministrave në Qeverinë Haradinaj është ngritur aktakuzë nga prokuroria. Pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajt nga Prokuroria e Kosovës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës, sot Prokuroria e Gjakovës, ka ngritur aktakuzë ndaj, Pal Lekajt, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, raporton Inasajderi.
Lekaj akuzohet për dy vepra penale; të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokurori Faik Halili, ka thënë gjatë ditës se aktakuza ndaj Lekajt tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Ish-kryetari i komunës së Gjakovës kishte fituar mandatin e të parit të komunës në vitin 2007 ndërsa e kishte humbur atë në vitin 2013.
Ndërkohë që të premten e kaluar, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj, ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajt.
Ai dyshohet së bashku me 10 të akuzuarit e tjerë kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.
Insajderi kishte publikuar në vitin 2016 hulumtimin “Dosja e Shefave”, ku Beqaj dhe Adem Grabovci kishin marrë kompetenca të plota që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre.
Përveç dy ministrave me aktakuzë të atij të PDK-së dhe AAK-së, me aktakuzë është duke u përballur edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka.
Lluka dyshohet nga Prokuroria e Shtetit se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, më 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën kishte qenë njëri prej themeluesve.
Përderisa tre ministra në Qeverinë Haradinaj janë duke u përballur me aktakuza, zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi po ashtu është duke u hetuar për gjuajte me armë. Ai në një ambient të mbyllur kishte festuar me armë shpalljen e pafajësisë së zv/kryeministrit, Fatmir Limaj.
Gashi së bashku me disa zyrtarë të lartë të tjerë të shtetit kishin gjuajtur me armë zjarri në ambiente të mbyllur, pa e ditur se ku mund të përfundojnë plumbat e ‘gëzimit’ që po i gjuajnë.