Sot janë bërë tre muaj që prej vrasjes së liderit të SDP-së në Mitrovicën e veriut, Oliver Ivanoviq.

Më 16 janar të këtij viti, Ivanoviq u qëllua për vdekje pranë selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, shkruan lajmi.net.

Pas fillimit të hetimeve dhe mbledhjeve të informacioneve të para, rreth dy muaj më vonë, rastin e mori në dorë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Mirëpo, përveç deklaratave të krerëve shtetërorë kosovarë dhe atyre serb, se rasti do të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur, në të cilat ata edhe shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim reciprok, ende nuk ka diçka konkrete për zbardhjen e këtij krimi që u cilësua si ‘rasti që më së paku i duhej Kosovës’.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Prokuroria Speciale e Kosovës është bërë e ditur që hetimet janë në fazën e grumbullimit të provave, dhe deri më tani janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave.

Hekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës ka thënë për lajmi.net se të gjithë të intervistuarit në këtë rast janë në cilësinë e dëshmitarëve, mirëpo për momentin, nuk ka ndonjë të dyshuar.

“Deri më tani janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave, të gjithë këta në cilësi të dëshmitarëve. Jemi në fazën e grumbullimit të provave, ende nuk kemi asnjë të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për lajmi.net.

Ndryshe, pas rastit të vrasjes së Ivanoviqit, autoritetet serbe akuzuan ato kosovare për refuzim të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve, gjë që doli të mos jetë e vërtetë, pasi që autoritetet kosovare pak ditë më pas edhe zyrtarisht bënë të ditur që kanë nisur në Serbi informacionet e mbledhura nga hetimet e para të organeve kompetente.

Ivanoviq u varros në Beograd, ndërkaq që pas rastit, familja e tij u shpërngul në Serbi.