Policia në rajonin e Mitrovicës ka arrestuar tre persona në tri lokacione në dy ditët e fundit për shkak të dyshimeve se kanë përdorur armë në ahengje familjare.
Rastet kanë ndodhur në Mitrovicë, Skenderaj e Vushtrri.
Sipas një njoftimi për media, të tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës’.
Policia ka apeluar te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje dhe dasma është i sanksionuar me ligj. Policia thotë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas autorizimeve, përfshirë ndalimin e personave të dyshuar, ndaljen e kolonave me dasmorë, si dhe bastisjen e lokacioneve ku dyshohet se janë përdorur armët.