Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në by-passin Fier-Levan, ku janë përfshirë dy automjete, të cilat pas përplasjes kanë dalë nga rruga, transmeton Gazeta Sinjali.
Tre persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Fierit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve nga vendngjarja merret vesh se të plagosurat janë tre gra, dy prej të cilave nënë e bijë dhe një shoqe e vajzës.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:45, në vendin e quajtur “Pojan”. Makina tip “Volkswagen” me drejtues E. T., është përplasur me automjetin tip “Nisan” me drejtues I. T, ku për pasojë të dy automjetet kanë dalë nga rruga .Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Nga fotot e publikuara nga ABC News duket se aksidenti ka qenë mjaft i frikshëm dhe fati ka qenë me të aksidentuarat. Makinat janë dëmtuar rëndë.
Mësohet se shkak i këtij aksidenti është bërë shpejtësia, ndërsa dy makinat ishin nisur për në Vlorë. Familjet do kalonin pushimet në jug të vendit. Një nga makinat ishte me targa të Kosovës ndërsa makina tjetër me targa të Korçës.
Kujtojmë se disa kohë më parë një tragjedi ndodhi në këtë aks rrugor, ku u shua familja Gushi me 4 anëtarë. Makina e tyre u godit nga një “Audi” që lëvizte me një shpejtësi tej normave të lejuara. Edhe pse policia vijon kontrollet me radar shoferët e pabindur vijojnë të shkelin rregullat e qarkullimit rrugor