Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në komunën e Podujevës në bashkëpunim me shoqatën “Gratë në Biznes” kanë mbajtur një takim informues për projektin “Themelimi i tregjeve mobile për fermerët vendorë në Prishtinë”.
Takimi i organizuar me gratë fermere nga Komuna e Podujevës kishte për qëllim informimin për kushtet për zhvillim ekonomik, respektivisht për bizneset agrare dhe fermerët lokalë me qëllim rritjen e qasjes së këtyre të fundit në tregun rajonal Qendër dhe stimulimin e zëvendësimit të importit me produkte vendore.
Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik në komunën e Podujevës, Avni Fetahu, e vlerësoi shumë të rëndësishme këtë nismë, e cila sipas tij do të ndikojë edhe në punësim.
“Përmirësimi i furnizimit me produkte agrare vendore është hallkë në zinxhirin e themelimit të tregut mobil për fermerë, duke synuar promovimin e prodhimit vendor. Rrivitalizimi i ekonomisë rurale në rajonin qendër dhe rajone të tjera të Kosovës krijon mundësi të reja punësimi, veçanërisht për fermerët e rinj, me qëllim reduktimin e papunësisë, varfërisë dhe migrimit”, ka thënë Fetahu.
Ndërsa, Hamide Latifi, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “Gratë në Biznes” ka informuar gratë fermere rreth projektit “Themelimi i Tregjeve Mobile për Fermeret Lokale në Prishtinë”.
Ajo tha se ky projekt është përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku 1200 fermerë të Rajonit Ekonomik Qendër, pjesë e të cilit është edhe Komuna e Podujevës, do t’i shesin dhe promovojnë produktet e tyre bujqësore, të prodhuara në vend, të fresketa ose të përpunuara./Llapi.info