Kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova ka lëshuar sot një deklaratë në lidhje me emërimin e Jack Smith në postin e prokurorit të Speciales.
Duke e uruar Smith për detyrën e re, Trendafilova ka thënë se ka besim në përvojën e tij duke shprehur bindjen se i njëjti do të shërbejë në përmbushjen e mandatit të zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“I ofroj Smith përgëzimet e mia të sinqerta me rastin e emërimit të tij dhe kam besim që përvoja e tij e gjatë në fushën e hetimeve dhe ndjekjeve penale, si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në nivel ndërkombëtar, do të shërbejë për përmbushjen e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Do të kem kënaqësinë të krijoj marrëdhënie të frytshme pune me Smith dhe kam besim se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të bëjë përparim të mëtejshëm në drejtim të përmbushjes së mandatit të saj”, thuhet në deklaratën e kryetares Trendafilova.
Kryetarja Trendafilova ka shprehur mirënjohje edhe për punën e zëvendësprokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, i cili sipas saj bëri të mundur vazhdimësinë e punës në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.