Aq sa e vjetër aq edhe në modë. Nargjile, shisha, kaljan, llullë duhani me ujë, hookah, hitboo në fakt jemi duke folur për të njëjtën gjë. Me një histori qindra vjeçare që nga Persia, India, Arabia, Turqia tashmë e shohim të përhapur në shumë vende perëndimore të tilla si: SHBA, Angli, Francë dhe Rusi.

Është e ndërtuar shumë thjeshtë. Së pari nga koka, e cila përmban duhanin dhe qymyrgurin. Mbulohet sipër me letër alumini me disa vrima dhe pak qymyr sipër duke bërë që duhani të digjet në temperaturën e saj. Së dyti nga një pjatë e cila pret duhanin e djegur. Së treti nga trupi i cili është një tub që lidh kokën me qypin me ujë. Në këtë të fundit ndodhë edhe ftohja e duhanit dhe filtrimi i saj. Së katërti valvula e cila bën kalimin e tymit për në zorrë. Në fund të zorrës ndodhet një pipë me anë së cilës njeriu thith tymin.

Mendohet që është e padëmshme. Në fakt jo. Është e dëmshme si për përdoruesit edhe për ata të cilët janë të ekspozuar ndaj saj. Miti se shisha, përveçse më “interesante” por me një tym “të filtruar” ka rritur shumë numrin e përdoruesve të saj, sidomos tek të rinjtë. Madje në vitin 2015 shisha nuk u përfshi në Sistemin Mbikëqyrës të Sjelljeve të Rrezikshme Rinore. Por studimi më i ri i cili përfshin 542 artikuj shkencorë zbuloi se në një seance nargjile çlirohet 125 herë më shumë tym, 25 herë më shumë katran, 2.5 herë më shumë nikotinë dhe 10 herë më shumë monoksid karboni sesa cigarja. Edhe pse tymi i shishes kalon nëpër qypin me ujë ajo përsëri nuk arrin të filtrojë tymin nga shumë substanca të dëmshme dhe kancerogjene, monoksidi i karbonit dhe metalet.

A e dini se shisha mund të rrisë mundësitë për leucemi ?

Një nga substancat më të rrezikshme që përmban duhani është benzeni. Programi Kombëtar i Toksikologji-së e ka klasifikuar në grupin e parë të karcinogjenëve. Në një studim të publikuar në Shoqërinë Amerikane për Kërkimet e Kancerit u analizua niveli i acidit S fenilmerkapturik, një metabolit i benzenit, në urinën e 105 individëve të cilët përdorin shisha, dhe 103 individë të cilët nuk e përdorin. Rezultoi se sasia e acidit S fenilmerkapturik rritej 4.2 herë pas pirjes së shishes gjatë një seance ndërsa tek të ekspozuarit ndaj tymit ASFM rritej 1.9 herë. Dr. Nada Kasem drejtor i Qendrës për Epidemiologjinë e Sjelljes dhe Shëndetit të Komunitetit nuk shprehet i habitur që sasia e benzenit rritet edhe në te ekspozuarit, pavarësisht se nuk janë pirës të shishës, por shprehet shumë i shqetësuar që njerëzit nuk e kuptojnë sesa negative është për shëndetin e tyre. Ata, shprehet ai, janë të iluzionuar nga fakti që duhani digjet në nxehtësinë natyrale të saj, apo që ftohet me pas në ujë, duke dhënë idenë e filtrimit.

Janë të shumta studimet, si në njerëz ashtu edhe në kafshë të cilat kanë treguar një lidhje të benzenit me kancerin. Është e ditur tashmë edhe që benzeni ka si organ target palcën e kockës, i cili është edhe organi hemopoietik më i rëndësishëm. Ai mund të çoje në dëmtime serioze të saj duke shkaktuar anemi aplastike apo leucemi. Duke qenë se shisha e përmban këtë lëndë toksike, përdoruesit e saj kanë një rriskë më të madhe për këtë lloj kanceri.

Si gjithmonë është mosha rinore e cila tërhiqet gjithmonë e më shumë ndaj sjelljeve të tilla. Në studimin e vitit 2012 22-40% e gjimnazistëve pranojnë të kenë konsumuar shisha. Ajo që nuk kuptohet nga këta konsumatorë është se në 4000 kimikate të dëmshme që ka duhani, sigurisht që pjesa më e madhe përfundon në trupin tonë duke rritur mundësinë për kancerin e gojës, të ezofagut, stomakut dhe të ulë fertilitetit.