Ndërtimi i infrastrukturës rrugore vazhdon të mbetet prioritet në investimet kapitale në Komunën e Podujevës. Krahas asfaltimit të dhjetëra rrugëve në qytet dhe fshatra, janë duke u ndërtuar edhe trotuare në disa lokalitete, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info

Për të përcjellë nga afër realizimin e projekteve në ndërtimin e trotuareve, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, ka inspektuar sot punimet në ndërtimin me kubëza të trotuarit në fshatin Obrançë.

“Tash kur kemi kryer asfaltimin e rrugëve pothuaj të gjitha rrugëve në qytet dhe fshatra, jemi duke bërë edhe ndërtimin e trotuareve, në mënyrë që të mundësojmë lëvizje më të sigurt për këmbësorët”, tha Veliu.

Veliu tha se prioritet në ndërtimin e trotuareve vazhdojnë të kenë segmentet rrugore që shpien tek shkollat, ambulancat dhe institucionet e tjera.

Sipas kësaj kumtese, përveç punëve që janë duke u kryer në ndërtimin e trotuarit në fshatin Obrançë, në një gjatësi prej 1025 metra gjatësi është në fazën përgatitore edhe fillimi i punimeve në ndërtimin e trotuarit në një segment rrugor Dobërdol-Zakut, në gjatësi prej 2570 m. Ndërsa, ditë më parë ka përfunduar ndërtimi i trotuarit në një segment të rrugës rajonale në fshatin Peran-Bajçinë, në gjatësi prej 1100 metra.

Deri tash janë realizuar disa projekte të ndërtimit të trotuareve, duke u shtruar me kubëza mbi 9 000 metra katror./Llapi.info