Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se ai mund të kualifikohet për çmimin Nobel pas arritjes së marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e tij.

Këtë ai e bëri të ditur dje në Fayetteville të Karolinës Veriore, gjatë një tubimi për fushatën e tij parazgjedhore për president të ardhshëm të SHBA-së.

“Historia tjetër. Jam i sigurt se është një çmim Nobel për paqe. Ne jemi duke ndaluar vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për kaq shumë vite”, tha presidenti amerikan, transmeton Klan Kosova.

“Ata do të ndalojnë vrasjet. Unë iu thashë ‘ burra le të bashkohemi’. Ju e dini, ata e kanë bërë atë për qindra vjet sinqerisht me emra të ndryshëm”, ka deklaruar Trump.

Më 4 shtator është nënshkruar marrëveshja ekonomike Kosovë-Serbi, nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Deklaratën e Trump mund ta dëgjoni nga minuta e 45 në videon e më poshtme: